Ka humbur jetën kryetarja e partisë ‘Lëvizja për Ndryshim’, Fofi Gjenimatas, pas një beteje të gjatë, që prej vitit 2018, me kancerin. “Lëvizja për Ndryshim” kryesisht përbëhet nga socialistët grekë të partisë historike Pasok. Zonja Gjenimatas ka udhëhequr këtë parti pas viteve të krizës dhe liderëve Jorgos Papandreu e Evangjelos Venizelos.
Pak ditë më parë ajo dha dorëheqjen në prag të zgjedhjeve të reja për kryesinë e kësaj partie për shkak të përkeqësimit të gjendjes së saj shëndetësore. Kujtojmë se Fofi Gjenimatas është vajza e një prej pjesëtarëve historikë të Pasok-ut , Jorgos Gjenimatas, ministër në qeverinë e Andrea Papandreut i cili edhe ai, me bashkëshorten e vet kanë humbur jetën në moshë të re nga kanceri.
Fofi Gjenimatas ishte vetëm 56 vjeçe dhe ishte nënë e tre fëmijëve. Ajo mbahet si shembull i gruas që përveç detyrave politike, ka luftuar me dinjitet sëmundjen e rëndë të kancerit të gjirit. Gjithë qarqet politike dhe opinioni publik janë shokuar me lajmin në fjalë ndërsa gjithë mediat greke kanë ndërprerë programin duke publikuar edhe hollësi nga jeta e saj politike dhe lufta me kancerin.
Comments are closed for this post.