Kryetari i AAK-së Ramush Haradinaj ka thënë se Kosova sot e ka kaluar edhe një provim të demokracisë duke mbajtur zgjedhje të lira dhe demokratike.
Ai tha se, sipas të dhënave që kanë, partia që drejton ka fituar në gjashtë komuna dhe shkon në balotazh në një komunë.
“AAK-ja në këto zgjedhje e ka shënuar rezultatin më të mirë. Të dhënat tona flasin se kemi fituar në gjashtë komuna – Gjakovë, Suharekë, Rahovec, Klinë, Deçan dhe Junik – dhe poashtu shkojmë në balotazh të paktën në një komunë – në Istog. Vërejmë rikthim dhe rritje të votës në disa komuna si Pejë, Prishtinë, Podujevë dhe komuna të tjera. Është një fitore e pritshme për ne falë vlerave që ka Aleanca, punës së mirë të kryetarëve aktualë dhe programit të tyre qeverisës, po ashtu edhe falë punës së palodhshme të dhjetëra mijëra aktivistëve të Aleancës”.
“Edhe rezultati i votave për kandidatët për asamble komunale është i mirë, pra është rikthim i votës së Aleancës”, ka thënë Haradinaj duke falënderuar të gjithë komisionerët dhe vëzhguesit nga të cilët ka kërkuar që të jenë në nivel të detyrës deri në fund të procesit.
Comments are closed for this post.