Porositë e përfaqësuesve ndërkombëtarë se Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria duhet sa më parë të nisin bisedimet me Bashkimin Evropian për anëtarësim, në Shkup janë pritur me interesim dhe besimin se deri në dhjetor, Bullgaria do të heqë veton, që është pengesa e vetme e procesit të integrimit evropian.

Zyrtarët e lartë evropianë, si presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, si dhe Zëvendësndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Gabriel Escobar, gjatë vizitave që realizuan javën e kaluar në rajon, thanë se “mbështesin fuqishëm hapjen zyrtare të negociatave të pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë sa më shpejt të jetë e mundur”.

“Ju keni mbështetjen e shumë miqve në BE dhe le të punojmë shumë për të mbajtur konferencën e parë ndërqeveritare. Ky është qëllimi ynë i përbashkët,” deklaroi presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, gjatë vizitës në Shkup, më 28 shtator.

Kryeministri maqedonase Zoran Zaev ka thënë se pritjet janë të mëdha, por ndërkohë ka rikujtuar se Maqedonia e Veriut nuk do të mund të bëjë kompromise lidhur me gjuhën dhe identitetin, për të cilat ka mosmarrëveshje me Bullgarinë.

“Unë sinqerisht besoj se ndoshta deri në fund të vitit të gjejmë zgjidhje, e cila do të bazohet në vlerat evropiane, në të drejtën evropiane që kanë të bëjmë me identitetin, gjuhën e kulturën tonë. Këto janë vlera shumë të rëndësishme dhe duhet të respektohen. Ne respektojnë të gjitha identitetet kombëtare, por duam që të respektohet edhe identiteti ynë maqedonas”, ka deklaruar Zaev.

Simonida Kacarska, drejtuese e Qendrës për Politikë Evropiane, thotë për Radion Evropa e Lirë, se deklaratat e bashkësisë ndërkombëtare, janë mesazh i qartë mbi interesimin e tyre për zgjerimin e BE-së në Ballkanin Perëndimor, jo vetëm për shkak të përmbushjes së kushteve, por edhe politikave tjera strategjike të BE-së.

“Me siguri se po përgatitet terreni për periudhën menjëherë pas zgjedhjeve në Bullgari, në rast se ka ndonjë hapësirë, të bëhet ndonjë hap para deri në dhjetor. Komisioni Evropian dhe përfaqësues tjerë ndërkombëtarë po bëjnë gjithçka të mundur që të heqin bllokadën bullgare për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë. Kjo po shihet me interes të madh si nga BE-ja ashtu edhe nga SHBA-ja, për shkak të rritjes së ndikimit edhe të fuqive tjera, por edhe për faktin tjetër se këto shtete tashmë kanë përmbushur të gjitha detyrimet për nisjen e bisedimeve”, thotë Kacarska.

Ismet Ramadani, kryetar i Këshillit Euroatlantik të Maqedonisë së Veriut, thotë për Radion Evropa e Lirë se institucionet nuk duhet të heqin dorë nga përpjekjet për heqjen e bllokadës bullgare, në veçanti tani kur është rritur presioni ndërkombëtar ndaj Sofjes, që të mos mbajë të bllokuar integrimin evropian, i cili, sipas Ramadanit, ka rëndësi të madhe si për Shkupin ashtu edhe për bashkësinë ndërkombëtare.

Ai konsideron se rol të madh në këtë rast mund të luajnë Shtetet e Bashkuara, të cilat, në shumë raste kanë pasur rolin kyç në kapërcimin e krizave të brendshme dhe përplasjeve mes shteteve.

“Prandaj konsideroj se duhet të shfrytëzohet momenti, por si duket pa diplomacinë buldozerë të SHBA-së këtu në Ballkan, asnjë problem dhe asnjë kontest nuk po merr epilog. Ka sinjale të mira se tani administrata e presidentit (të SHBA-së, Joe) Biden ka përfaqësues të saj këtu (Gabriel) Escobarin, i cili po krijon kushtet që shpresoj se deri në vitin e ri do të zgjidhet kontesti me Bullgarinë, kuptohet duke u nisur nga një platformë apo bazë e mirë për bisedime bazuar në tekstin që u propozua nga Portugalia derisa kryesonte me BE-në”, thotë Ramadani.

Bullgaria, shtet anëtar i BE-së, në nëntor të vitit 2020 ka vendosur veto ndaj Maqedonisë së Veriut, për shkak të mosmarrëveshjeve që kanë të bëjnë me gjuhën dhe identitetin. Sofja pranon gjuhën dhe identitetin maqedonas, por vetëm pas vitit 1945, para kësaj periudhë, ato, sipas saj, kanë pasur “rrënjë bullgare”./REL/