Matja e temperaturës tek nxënësit, e cila nuk duhet të jetë më lartë se 37.4, dezinfektimi i detyrueshëm i duarve para fillimit të mësimit dhe pushimeve, mbajtja e maskave gjatë procesit edukativo-arsimor, por jo edhe gjatë pushimit të madh, hyrja e ndaluar për jo të punësuarit në shkolla. Këto janë disa prej protokolleve anti-Covid të cilët do të duhet të zbatohen prej 1 shtatorit. Përveç kësaj, nxënësit nuk duhet të përshëndeten për dore dhe të shkëmbejnë me njëri-tjetrin lapsa dhe libra, ndërsa nëpër sallat e sportit dhe bibliotekat prezent mund të jenë vetëm nxënësit e një paralele. Për mikrobiologun, Nikolla Panovski, pa dyshim se do të rritet numri i të infektuarve në arsim, mirëpo, sipas tij, hapja e dyerve të shkollave është më e rëndësishme se hapja e objekteve gastronomike.

“Nuk është aspak problem një fëmijë të jetë pozitiv me Covid në shkollë. Edhe sikur tani të numëroni 35 fëmijë jashtë që luajnë dhe po të testohen, disa prej tyre do të jenë pozitiv ndaj Covidit. Kështu që nuk mendoj se hapja e dyerve të shkollave është strategji që fëmijët të infektohen ku do të fitojnë imunitet natyral, siç është për shembull në Suedi, ku fëmijët e infektuar nuk shkojnë në izolim, por mbajnë vetëm maska mbrojtëse dhe qëndrojnë në shtëpi derisa shërohen plotësisht. Ne këtu kemi ende grupe të rrezikshme të cilat janë të pavaksinuar, të cilët fëmijët mund t’ua sjellin Covidin në shtëpi.”,- tha mikrobiologu, Nikolla Panovski.

Në qoftë se një nxënësi i paraqiten simptomat e Covidit, derisa është në mësim, mësimdhënësi është i detyrueshëm të izolojë atë në hapësirë tjetër dhe urgjentisht të informojë prindin. Në rast se i njëjti rezulton të jetë pozitiv, atëherë kujdestari duhet të informojë shërbimet epidemiologjike për të vlerësuar shkallën e rrezikut tek fëmijët e tjerë. Faktor i rrezikshëm për rritjen e numrit të të infektuarve prej 1 shtator do të jetë edhe përdorimi masiv i transportit publik nga të rinjtë, vlerëson Panovski, sipas të cilit nxënësit e shkollave të mesme prej 1 shtatori do të duhej të ndjekin mësimin të ndarë në grupe për të parandaluar rritjen e numrit të të infektuarve. Për shkak të numrit të madh të të infektuarve, në shkollat e mesme të Tetovës dhe të Gostivarit në shtator mësimi do të ndiqet online.