Prokuroria Themelore në Ferizaj konfirmoi arrestimin e Dardan Krivaqes, i dyshuari kryesor për vrasjen e 18-vjeçares në Ferizaj.

Arrestimi i tij është bërë rreth orës 12 e 05 minuta dhe do të jetë në mbajtje prej 48 orësh, për shkak të dyshimit se i njëjti në bashkëkryerje ka kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Vrasja e Marigona Osmani, 18-vjeçare, ka ndodhur më 22 gusht në Ferizaj. Dy persona të dyshuar, e kanë dërguar trupin e pajetë të viktimës në emergjencën e qytetit dhe më pas janë larguar.

Një ditë më herët është arrestuar edhe i dyshuari tjetër Arbër Sejdiu.

Sipas mediave, viktima kishte qenë e martuar që dy muaj me Dardan Krivaqën dhe është raportuar se ndaj saj është ushtruar dhunë.

Ndërsa në Ferizaj po vijon protesta para Stacionit Policor, te Prokuroria Themelore dhe para Gjykatës me thirrjet se edhe këto institucione i kanë duart me gjak.

Pankartat e protestuesve po vendosen para Gjykatës Themelore, ndërkohë që po vazhdojnë thirrjet “Asnjë më”, “Marre”, “Dhunuesi në burg”, dhe “Drejtësi për Marigonën”.