Zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për Sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Artan Grubi në fjalimin e tij hyrës me rastin e shënimit të 20 vjetorit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit ka thënë se prioritetet që e presin vendin dhe qeverinë aktuale janë sundimi i ligjit, luftimi i korrupsionit dhe jetësimi në praktikë e AGJENDËS SË GJELBËR.
Grubi kujtoi se duhet të punohet për gjeneratat e ardhshme dhe jo për zgjedhjet e ardhshme.
“Sfida jonë përtej Ohrit është sundimi i Ligjit, luftë e pakompromis me korrupsionin dhe krimin, përqafim i diversiteteve dhe gjithëpërfshirjes në institucione kredibile demokratike dhe cilësi të jetës nëpërmjet përqafimit të “Agjendës së Gjelbër”. Po të mos ishte Ohri, nuk do të ishte Prespa. Po të mos ishin të dyja, s’do të kishim NATO por, ne nuk duhet të ndalemi këtu dhe duhet të gjejmë forcë për të zbatuar edhe Marrëveshjen e tretë me po të njëjtin guxim dhe përkushtim duke vulosur të ardhmen tonë evropiane. Të udhëheqim e mos të udhëhiqemi. Të punojmë për gjeneratat e ardhshme dhe jo për zgjedhjet e ardhshme. Marrëveshja e Ohrit dhe e Prespës na mundësuan që ky vend, ky popull, ky rajon nuk i bën dot konak euroskepticizmit, por përkundrazi, sa më e madhe sfida, aq më i madh është përkushtimi ynë, sepse dielli ynë, të dashur miq, lind në perëndim”, përfundoi fjalimin e tij Grubi.
Comments are closed for this post.