“Lusim Zotin të mos sëmuremi sepse të arrish te doktori dhe ilaçet, pothuajse është e pamundur”, thonë për Radion Evropa e Lirë, të burgosurit në burgun e Idrizovës në Shkup.

Këto vërejtje ishin apostrofuar edhe në raportin e Komitetit të Këshillit të Evropës për Parandalimin e Torturës, me ç’rast, nga autoritetet zyrtare të Maqedonisë së Veriut, është kërkuar “që të ndërmarrin veprime konkrete për jetësimin e rekomandimeve”, të cilat tashmë prej disa vitesh janë përmendur si detyrë për vendin.

“Mbrojtja shëndetësore që u ofrohet të burgosurve nuk është kualitative, për shkak të mungesës së gatishmërisë së Ministrisë së Shëndetësisë që të ndërmarrë veprime strategjike”, theksohet në raportin e Komitetit të Këshillit të Evropës për Parandalimin e Torturës.

Por, nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut, në përgjigjen ndaj kritikave të apostrofuara në këtë raport në fund të muajit korrik, janë përgjigjur se “kushtet në burgjet e vendit dukshëm janë përmirësuar”.

Në pjesën që ka të bëjë me përkujdesjen shëndetësore, në përgjigjen e qeverisë, shkurt theksohet se me ndryshimet ligjore të vitit 2019, personat që vuajnë dënimin në izolim, për çdo ditë duhet t’i vizitojë mjeku dhe nëse konstatohet se kanë probleme me shëndetin, atyre u ndërpritet masa disiplinore, përkatësisht vuajtja e dënimit në izolim.

V.L (që për shkaqe sigurie nuk deshi të identifikohet, por identiteti i tij është i njohur për redaksinë) i cili po vuan dënimin me burgim në burgun e Idrizovës, thotë për Radion Evropa e Lirë se e ka shumë të vështirë të arrijnë deri te mjeku, nëse kanë probleme shëndetësore.

“Nëse flitet për shërbime shëndetësore, mjekësi apo për marrjen e terapive për njerëzit e sëmurë, këtu në burg, atëherë lirisht mund të them se ky është luks i madh. Kushtet janë jashtë normales. Këtu vetëm dy mjeke punojnë. Pra formalisht, dy mjeke janë në punë, por edhe ato nuk janë të rregullta në punë, punojnë nga dy orë, përderisa vetëm një ndërtesë ka 500 veta (të burgosur). Në mbrëmje nuk ka asnjë mjek kujdestar. Problem tjetër është se na përziejnë me ata të cilët janë të sëmurë nga Hepatiti C dhe e dimë se kjo sëmundje bartet,…. kemi frikë se jo vetëm ne do të infektohemi, por këtë do t’ua bartim dhe familjarëve tonë gjatë vizitave”, thotë V.L.

V.L thotë se problematike mbeten hapësirat e pamjaftueshme në dhomat e parapara për tre apo katër të burgosur, aktualisht qëndrojnë shtatë apo tetë persona të burgosur.

Ai rrëfen se si krevatet në vend se të jenë me dy kate, janë të improvizuar në tri kate. Kjo, thotë ai, ka bërë që të mos jenë stabilë dhe që gjatë natës, nga lëvizja më e vogël në gjumë, të bien poshtë duke pësuar lëndime në kokë.

“Tash, po këtë javë kishim një rast kur një i burgosur ra nga krevati, jo një, por dy persona janë rrëzuar dhe njëri prej tyre e ka çarë kokën”.

REL: Pse ra nga krevati?

“Sepse krevati nuk është i rehatshëm. Në katin e tretë detyrohen me fjetë të burgosurit dhe gjatë gjumit një lëvizje më e vogël mund të rrëzohesh. Kushtet janë katastrofale, ka njerëz që detyrohen të flenë përtokë (në dysheme)”, tha i burgosuri i intervistuar nga REL-i.