Qeveria e Maqedonisë së Veriut, nuk ka sjellë asnjë vendim ndaj informacioneve që janë dorëzuar nga institucionet, në lidhje me hetimet dhe kontrollet e bëra për dyshimet se në vend është importuar vaj i cili është konsumuar si mazut.
“Në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut janë dorëzuar raportet nga një sërë institucionet, në lidhje me respektimin e dispozitave të Rregullores për import të lëndëve djegëse, të dhëna për importin e derivateve të naftës gjatë periudhës 2018-2020, kontrolle të kryera nga inspektoratet në kompanitë importuese dhe shfrytëzuese”, thuhet në kumtesën e Qeverisë.
Meqë, siç njoftojnë nga Qeveria bëhet fjalë për dokument voluminoz, institucionet janë obliguar që brenda 7 ditësh të dorëzojnë informacione shtesë.
“Drejtoria doganore është obliguar në mënyrë shtesë që të plotësojë raportin me të dhëna nga të gjitha kompanitë importuese të mazutit dhe vajit për periudhën 2018-2021. Gjithashtu, Drejtoria e Doganave duhet të dorëzojë raport për aktivitetet e ndërmarra ndaj parashtresave për import dhe raport me të dhënat për kontrollet e realizuara të mazutit në laboratorin e tyre dhe në laboratoret e akredituara”, thuhet në kumtesën e Qeverisë.
Qeveria e ka obliguar kabinetin e zëvendëskryeministrit për luftim të korrupsionit dhe Ministrinë e Ekonomisë që bashkërisht me Drejtorinë e Doganave, Inspektoratin Shtetëror të Tregut dhe Inspektoratin për mjedis jetësor, pas “analizave të kryera të informacioneve të deritanishme, të bëjnë një sublimat dhe të njëjtin ta dorëzojnë në seancën e ardhshme qeveritare”.
“Në mënyrë shtesë, Qeveria e ka obliguar Drejtorinë e Doganave që të ndajë të gjitha informacionet për hyrje të derivateve të naftës me Inspektoratin Shtetëror të Tregut, me qëllim që në mënyrë më efikase të kryejë kompetencat”, thuhet në kumtesë.
Në seancën e ardhshme do të sillet përfundimet përkatëse për veprimet e mëtutjeshme, thonë nga Qeveria.
Comments are closed for this post.