Partitë politike vazhdojnë të mos japin detaje lidhur me ndryshimet e kodit zgjedhor, pas takimit të mbajtur nga përfaqësuesit e partive parlamentare javën e kaluar. Nga LSDM thonë se shpresojnë që të ketë marrëveshje për Kodin zgjedhor në takimin që duhet të mbahet këtë javë dhe ndryshimet të bëhen me konsensus.
“Si LSDM ne angazhohemi për një njësi zgjedhore, por cili do qoftë vendim që do të merret, patjetër të merret me konsensus kështu që presim që në periudhën e ardhshme ata negociata në grupet e punës të intensifikohen dhe të kemi rezultat përfundimtar… Presim që pas festave të vazhdojnë”, deklaroi Bisera Kostadinova-Stojçevska, LSDM.
Heshtje edhe në OBRM-PDUKM. Thonë se bisedohet, por nuk komentojnë propozimet për ndryshime të Kodit zgjedhor. Thonë se detaje do të japin kur të ketë marrëveshje konkrete.
“Bisedimet mes partive për ndryshimet e Kodit Zgjedhor në të cilat është inkuadruar edhe ndryshimi i modelit zgjedhor në Republikën e Maqedonisë udhëhiqen në nivel të grupeve të ekspertëve. Atëherë kur do të ketë ndonjë avancim ose rezultat nga ato negociata do t’i njoftojmë për opinionin”, tha Naum Stoillkovski, OBRM-PDUKM.
Edhe nga BDI nuk komentojnë ndryshimet eventuale. Por shtojnë se mbeten në qëndrimin se nuk është koha që vendi të shkojnë në zgjedhje me një njësi zgjedhore. Ndërsa nga opozita shqiptare thonë se janë të mendimit, që partitë politike sa më shpejtë duhet të gjejnë zgjidhje për ndryshimet e kodit zgjedhor pasi afrohen edhe zgjedhjet lokale. Por nënvizojnë se janë të përkushtuara për model zgjedhor me lista të hapura i cili duhet të startojë në zgjedhjet lokale dhe të vlejë edhe për zgjedhjet e ardhshme parlamentare.
Në takimin e fundit përfaqësuesit e të gjitha partive parlamentare, kanë rënë dakord të intensifikojnë negociatat për ndryshimet eventuale në Kodin zgjedhor. Qeveria vlerëson se ka nevojë për një Kod zgjedhor tërësisht të ri, kurse pjesë e diskutimeve është edhe modeli me një njësi zgjedhore dhe listat e hapura. Por edhe pse nga zgjedhjet lokale na ndajnë edhe pesë muaj, partitë nuk janë të të njëjtit qëndrim pothuajse për asnjërën prej opsioneve që diskutohen./Alsat/
Comments are closed for this post.