Kryeministrat e Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë, Zoran Zaev dhe Boyko Borissov, dje në një bisedë telefonike ranë dakord se përgjigjet e pyetjeve që u hapën midis dy vendeve përmbahen në Marrëveshjen për fqinjësi dhe miqësi të mirë, ndërsa në të njëjtën kohë nga Brukseli erdhën mesazhe se Ballkani Perëndimor mbetet prioritet për Unionin, si dhe përpjekjet për të filluar negociatat për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut sa më shpejt të jetë e mundur.

Pas bisedës me Borisosvin, kryeministri Zaev në profilin e tij në Fejsbuk njoftoi se së bashku kanë ndarë një angazhim për të arritur zgjidhje sa më shpejt të jetë e mundur që do të inkurajojnë avancimin e marrëdhënieve midis Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë dhe se “në të kaluarën e dy vendeve tona ka bazë në të cilën duhet ta ndërtojmë të ardhmen tonë të përbashkët në BE”.

Biseda Zaev-Borissov, sipas zëdhënësit të qeverisë Dushko Arsovski, është edhe një tjetër konfirmim se përmes komunikimit, dialogut dhe kontakteve të shpeshta, mund të arrihet deri në zgjidhje.

Sipas tij, konkludimi i përbashkët se zgjidhja është në vetë Marrëveshjen për fqinjësi dhe miqësi të mire nga viti 2017, është pikërisht ajo për të cilën Qeveria vazhdimisht po përpiqet dhe këmbëngul se është një kornizë e shkëlqyeshme për gjetjen e një zgjidhjeje për të gjitha çështjet e hapura.

E ardhmja e përbashkët e vendeve të rajonit në BE ishte gjithashtu tema e bisedimeve midis zëvendëskryeministrit të parë dhe ministër i Sistemit Politik dhe Marrëdhënie midis bashkësive, Artan Grubi dhe presidentit të Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta, në Tiranë. Grubi dhe Meta vlerësuan se rruga e integrimit të përbashkët të Shkupit dhe Tiranës në BE është plot sfida, por duhet të finalizohet me sukses për të dy vendet, qëllimi i të cilave është të bashkohen me familjen e madhe evropiane.

Procesi aderues i Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë në BE ishte tema edhe në bisedën e djeshme të eurokomisarit për zgjerim Oliver Varheji me ministrin gjerman të Punëve të Jashtme, Hajko Mas.

“Diskutim i mirë me MPJ-në, Hajko Mas sot. Kemi shkëmbyer mendime për Ballkanin Perëndimor dhe nevojën për të shkuar përpara në procesin e zgjerimit në BE, përfshirë përmes hapjes së negociatave për anëtarësim me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut sa më shpejtë”, shkroi Varheji në Tuiter.

Pas takimit të djeshëm të ministrave të punëve të jashtme të BE, përfaqësuesi i lartë për politikë të jashtme dhe siguri të BE-së, Zhozep Borrell porositi se vendet e rajonit mbesin prioritet për bllokun.