Papa Françesku iu ka bërë thirrje udhëheqësve botërorë që të sigurojnë qasje të pakufizuar në vaksinat e koronavirusit për të gjithë.

Në një fjalim të Ditës së Krishtlindjes, i mbajtur për herë të parë përmes internetit, Papa paralajmëroi kundër vendosjes së “mureve” të trajtimeve.

Pandemia nënkuptoi këtë vit se mesazhi vjetor Urbi et Orbi nuk u prezantua nga ballkoni në Bazilikën e Shën Pjetrit për turmat e mëdha, siç është tradita.

Në vend të kësaj Papa foli nga një foltore në një dhomë brenda Vatikanit, raporton BBC, transmeton Klan Kosova.

Paralajmërimi i Papa Françeskut vjen mes shqetësimeve se vendet më të pasura po blejnë doza joproporcionale të vaksinave në dëm të atyre më të varfërve.

” Biri i Zotit të ripërtërijë në udhëheqësit politikë dhe qeveritarë një frymë bashkëpunimi ndërkombëtar, duke filluar me kujdesin shëndetësor, në mënyrë që të gjithë të sigurohen qasje në vaksina dhe trajtim,” tha ai.

“Përballë një sfide që nuk njeh kufi, ne nuk mund të ngremë mure. Të gjithë jemi në të njëjtën varkë.”

Papa tha se efektet e krizës shëndetësore treguan se nevoja për unitet global ishte më e madhe se kurrë, transmeton Klan Kosova.