Që nga sot, pritet një numër i mjekëve dhe infermierëve, të cilët kanë punuar për ushtrinë t’i bashkohen personelit mjekësor në institucionet shëndetësore publike, në luftën kundër pandemisë me kovid. Pas shpalljes së gjendjes së krizës, anëtarët e Armatës u sistemuan në qendrat në të gjithë vendin si mbështetje për sigurimin e rendit.
Në 24 orët e fundit janë regjistruar gjithsej 820 raste të reja me Kovid-19. Janë bërë 2019 teste. Ministria e Shëndetësisë sonte kumtoi se kanë vdekur 32 pacientë, ndërsa janë shëruar 895 pacientë.
Numër më të madh të personave të sëmurë sërish ka në Shkup 279, pas së cilës vijojnë Manastiri me 58, Kumanova me 49, Tetova me 42, Shtipi me 39, Gostivari me 37, Kavadari me 34, Struga me 33, Strumica dhe Gjevgjelia me nga 25, Ohri me 24, Negotina me 21, Velesi me 19 dhe Prilepi e Koçani me nga 15 raste.
Nga të vdekurit, pacienti më i ri është i moshës 55 vjeçare, ndërsa më i vjetri i moshës 95 vjeçare. Të gjithë kanë vdekur në kushte spitalore.
Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe paralajmëroi se festimet dhe grupimet familjare ishin arsye kryesore gjatë valës së parë që të përkeqësohet gjendja epidemiologjike dhe bëri apel të mos lejojmë sërish kjo të ndodhë. Qytetarët duhet të jenë maksimalisht përgjegjës dhe t’i respektojnë masat për mbrojtje të cilat u miratuan në fillim të muajit nëntor.
Siç bëri të ditur Ministria e Shëndetësisë, me ndryshimet e Ligjit për mbrojtje shëndetësore ndalohet mbledhja në grupe (grupim) të më shumë se katër personave në ambient publik, gjegjësisht parqe, sipërfaqe publike apo kudo tjetër në ambient të hapur gjatë gjithë ditës.
Sipas informacioneve që i të publikuar dje nga Ministria e Shëndetësisë, numri i përgjithshëm i pacientëve pozitivë dhe të dyshuar me koronavirus që trajtohen në repartet infektive në kryeqytet dhe në spitalet në të gjithë vendin është 1282 dhe ka 190 shtretër spitalor të zbrazët, por, siç thekson ai, numrat ndryshojnë nga ora në orë në varësi të pranimeve dhe shkarkimeve të bëra.
Me ftesë të ministrit të Shëndetësisë, dje i ka vizituar qendrat Kovid të klinikave interne të Shkupit, edhe dr. Nikolla Panovski, i cili ka përgatitur mendim profesionist, në të cilën mes tjerash ka theksuar se pacientët trajtohen siç duhet.
Në mënyrë organizative, sipas Panovskit, qendrat janë vendosur në mënyrë solide, me një ndarje të qartë në zona të gjelbra dhe të kuqe dhe personeli është i mbrojtur në mënyrë adekuate.
“Ajo që duhet të dijë publiku është se në të gjitha ato qendra ka pulmolog prezent, e jo siç shkruajnë në rrjetet sociale se atje i ka trajtuar për shembull, një okulist. Kam biseduar me katër prej tyre, me dy personalisht, me dy përmes lidhjes video telefonike, ka shkruar prof. dr. Nikola Panovski në mendimin e ekspertit.
Rekomandimi i tij është të kontrollohet se si janë të organizuara qendrat kovid në brendësi të vendit.
Numri i tërësishëm i personave të diagnostifikuar me kovid nga fillimi i epidemisë arin 61543, shifra e të shëruarve është 38400, e të vdekurve është 1731. Numri i rasteve aktive është 21412.
Comments are closed for this post.