Sipas raportit javor të Institutit për Shëndet Publik për periudhën nga data 16 deri më 22 nëntor janë testuar gjithsej 19.664 materiale në laboratoritë në të cilat bëhet testimi molekular për prani të SARS-CoV-2, me zvogëlim prej 6,3 për qind në krahasim me javën e kaluar.
Janë regjistruar 7.486 raste pozitive prej 35 qyteteve në shtet me rritje të lehtë në krahasim me javën e kaluar prej 1,8 për qind. Pjesa më e madhe e rasteve të regjistruara janë nga Shkupi (n=3.255; 43,5 për qind), me incidencë javore 535,1/100.000. Në periudhën në vijim, përqindja e rasteve pozitive nga personat e testuar arrin 38 për qind.

Janë regjistruar persona të sëmurë në të gjitha grupmoshat. Më e përfaqësuar është grupmosha e personave të moshës mbi 60 vjet (n=1.818, 24,3 për qind). Një numër i madh i të sëmurëve regjistrohet edhe te personat në grupmoshat prej 40-49 vjet (n=1.474; 19,7 për qind), prej 50-59 vjet (n=1.348; 18 për qind) dhe prej 20 deri 29 vjet (n=978; 13,1 për qind). Numër më i vogël është regjistruar te fëmijët e moshës deri në nëntë vjet (n=85; 1,6 për qind) dhe prej 10 deri në 19 vjet (n=287; 3,8 për qind).

Në lidhje me shpërndarjen sipas gjinisë, janë paraqitur 3.866 (51,6 për qind) persona të gjinisë mashkullore dhe 3.620 (48,4 për qind) persona të gjinisë femërore.

Pas dy testeve negative për prani të SARS-CoV-2 ose me përdorim të algoritmit të ri, si të shëruar udhëhiqen 5.099 persona të cilët ishin hospitalizuar ose janë në shërim shtëpiak, që është për 44,7 për qind më shumë në krahasim me javën e kaluar.

Në periudhën e cituar janë paraqitur 204 raste të vdekjes nga 24 qytete, rritje prej 18,6 për qind në krahasim me javën e kaluar. Në lidhje me moshën, 155 persona ishin mbi 60 vjet, 26 persona të moshës prej 50-50 vjet, 18 raste të vdekjes janë paraqitur nga grupmosha prej 40-49 vjet dhe pesë raste në grupmoshën prej 30-39 vjet. Nga rastet e vdekjes, epidemiologjikisht janë hulumtuar 128 ose 62,7 për qind.

Raporti detajor i Institutit për shëndet publik për gjendjen me Kovid-19 në periudhën nga data 16-22 nëntor, si dhe gjendja kumulative publikohet në ueb faqen e Institutit për shëndet publik: http://iph.mk/.