Takimet në nivel bilateral në kuadër të Procesit të Berlinit si dhe ditët deri në Këshillin e BE-së kushtuar zgjerimit janë mundësia e fundit për arritje të marrëveshjes mes Shkupit dhe Sofjes në mënyrë që të miratohet korniza për negociata më datën 17 të këtij muaji, njofton AIM.
Vendet anëtare të BE-së nuk planifikojnë ta vendosin Maqedoninë e Veriut në rend dite të takimit të ambasadorëve të planifikuar për të mërkurën në Bruksel nëse nuk arrihet përparim i konsiderueshëm në nivel bilateral.
Takimet në kuadër të Procesit të Berlinit sot dhe nesër do të shfrytëzohen për tentim të afrimit të qëndrimeve, por linjat e kuqe që i ndajnë të dyja palët janë diametralisht të kundërta deri në këtë moment.
Pala bullgare edhe më tej insiston që Maqedonia e Veriut të pranojë se ka “rrënjë bullgare” para vitit 1945, nuk e njeh gjuhën dhe konsideron se duhet të futet dispozitë e posaçme në procesin negociues me BE-në lidhur me këto çështje, me çka faktikisht ajo do ta prejudikonte epilogun e vetë negociatave.
“Këto kërkesa duken të papranueshme për palën e Maqedonisë së Veriut, e cila siç duket është e gatshme për kompromis, por jo me çfarëdo çmimi”, thonë diplomatët në Bruksel.
Diplomatët bullgarë gjithashtu thirren në linjat e veta të kuqe si dhe në anketat e fundit të mendimit publik në Bullgari, ku 80 për qind e qytetarëve konsiderojnë se negociatat me Maqedoninë e Veriut duhet të bllokohen nëse nuk ka marrëveshje për çështjet bilaterale.
Vendet e tjera anëtare të BE-së konsiderojnë se nuk duhet të “bilateralizohet” procesi negociues i Maqedonisë së Veriut.
Siç transmeton gazeta evropiane “Politiko” sot, në BE rritet frustrimi ndaj qëndrimit të fortë të Sofjes, posaçërisht në Gjermani, e cila kryeson me Unionin deri në fund të këtij viti dhe për të cilën prioritet është fillimi i negociatave me Shkupin.
“Edhe pse, thonë disa burime të caktuara, të afërta me Sofjen, deklaratat e forta të disa diplomatëve drejtuar Bullgarisë “nuk ndihmojnë” për zbutje të pozicioneve, posaçërisht duke pasur parasysh atë se vendi po hyn në fushatë parazgjedhore.
Më datën 17 do të mbahet Këshilli për punë të përgjithshme të BE-së, ku do të debatohet dhe sipas të gjitha gjasave, vendoset, për miratimin e kornizës negociuese me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut. Deri atëherë pala bullgare dhe e vendit tonë kanë një javë kohë për t’i tejkaluar dallimet e veta, pa i kaluar me atë rast kufijtë e kuq.
Comments are closed for this post.