Konferenca e parë ndërqeveritare e Maqedonisë së Veriut me BE-në do të jetë një sinjal pozitiv për të gjithë rajonin, theksuan kryeministri Zoran Zaev, zëvendëskryeministri për Çështjet Evropiane, Nikolla Dimitrov dhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani në takimin e sotëm onlajn me përfaqësuesin e lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri dhe zëvendëskryetar i Komisionit Evropian, Zhosep Borell.

Takimi është pjesë e një serie takimesh onlajn me zyrtarë të lartë të BE të dakorduar për sot që përfshijnë bisedime me kryetarin e Këshillit Evropian, Sharl Mishel dhe me kryetarin e Parlamentit Evropian, David Sasoli dhe me komisarin e BE-së për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhei, kumtoi pres shërbimi qeveritar.

Në takimin onlajn takimi me përfaqësuesin e lartë dhe me nënkryetarin e Komisionit Evropian, Zhozep Borrell, kryeministri Zaev e falënderoi zëvendëskryetarin e KE-së Borrell për kontributin e tij personal në rrugën e aderimit të Maqedonisë së Veriut në BE, duke theksuar vendimin e Këshillit të BE në mars për të filluar negociatat për anëtarësimin e vendit në Union, i cili shënoi një epokë të re në marrëdhëniet e ndërsjella.

Zaev shprehu shpresë se kjo mbështetje do të zyrtarizohet me miratimin e Kornizës së negociatave në fillim të muajit tjetër, pasuar nga konferenca e parë ndërqeveritare deri në fund të vitit.

“Mbajtja e konferencës së parë ndërqeveritare të Maqedonisë së Veriut dhe BE-së do të dërgojë një sinjal pozitiv në rajon dhe do të konfirmojë perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor si një interes gjeostrategjik i Bashkimit Evropian”, theksoi kryeministri Zaev në takim onlajn me Borrellin.

Maqedonia e Veriut mbetet e përkushtuar për të nxitur marrëdhënie të mira fqinjësore me zbatimin e vazhdueshëm të Marrëveshjes së Prespës dhe Marrëveshjes së Fqinjësisë së Mirë dhe Miqësisë me Bullgarinë, e cila solli energji të re dhe kontribuoi për rinovimin e intensitetit të zgjerimit të BE me vendet e rajonit.

Zaev gjithashtu theksoi se Qeveria e re e koalicionit dhe të gjitha institucionet janë plotësisht funksionale dhe të përkushtuara në vazhdimësinë e reformave dhe në arritjen e rezultateve nga sundimi i ligjit dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsioni si prioritetet më të lartë.

“Rezultatet e rëndësishme të arritura në forcimin e pavarësisë së gjyqësorit, miratimin e Ligjit për Prokurorinë Publike, si dhe rezultatet e hetimeve dhe vendimeve përfundimtare në rastet e korrupsionit dhe krimit të organizuar, përfshirë edhe në një nivel të lartë, janë regjistruar edhe në raportin vjetor të Komisionit Evropian për Maqedoninë e Veriut dhe edhe më tej do të vazhdojnë të jenë fokusi ynë me një ftesë të hapur për të përfshirë opozitën në Parlament, si dhe përmes dialogut me shoqërinë civile dhe partnerët tanë ndërkombëtarë”, është theksuar nga pala e vendit tonë në bisedimet onlajn me Borrellin.

Në takimin onlajn u vlerësuan si jashtëzakonisht të rëndësishme Plani ekonomik dhe i Investimeve për Ballkanin Perëndimor, i cili është me rëndësi të madhe për mbështetjen e zhvillimit të sektorit privat, transportit dhe lidhjes energjetike, dixhitalizimit, axhendës së gjelbër dhe investimeve sociale në rajon.

Ndërlidhja e fortë e përbashkët e BE me Republikën e Maqedonisë së Veriut, tha kryeministri Zaev në takimin onlajn me Borrellin, u konfirmua edhe në mbështetjen e vendit në përgjigjen e përbashkët për t’u përballë me pasojat e KOVID-19 dhe kontribuoi për përforcimin e lidhjeve me BE-në.

Përfaqësuesi i Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri dhe nënkryetari i Komisionit Evropian, Zhozep Borrell, theksoi se është jashtëzakonisht e rëndësishme për Brukselin të vazhdojë bashkëpunimin intensiv me një Qeveri që është dëshmuar në përkushtimin e procesit të integrimit të Maqedonisë së Veriut në BE dhe se pret sa më shpejt të jetë e mundur të mbahet konferenca e parë ndërqeveritare për, siç theksoi, ndërtimin e përbashkët të së ardhmes.