Pandemia me Kovid-19 është arsye për mbylljen e bizneseve lidhur me shërbimet në Tetovë, vlerësoi kryetarja e komunës Teuta Arifi. Ajo shpreson se situata do të ndryshojë kur do të formohet Qeveria e re me vendosjen e masave për ta ndihmuar ekonominë.
“Pasojat nga pandemia në ekonominë e qytetit janë të mëdha. Gjendjen faktike e dëshmojnë të gjitha shifrat. Tetova është qytet i bizneseve të mesme dhe të vogla, ndërsa më të mëdhatë kanë struktura të tjera të ekzistimit dhe nuk lidhen me shërbimet, ndërsa bizneset më të vogla lidhen me shërbimet për të cilat për momentin nuk ka kërkesë. Nuk i kemi bashkëqytetarët tanë nga mërgimi për t’i kërkuar këto shërbime. Presim se një nga prioritetet e Qeverisë së re do të jetë ballafaqimi me pasojat ekonomike të kësaj krize e cila nuk ka përfunduar, e cila pritet të vazhdojë edhe gjatë vitit. Shpresoj se bashkërisht do të gjejmë masa afatshkurtra dhe afatgjata që të mundet ekonomia të mos jetë viktima më e madhe për shkak të pandemisë”, deklaroi Teuta Arifi pas takimit të sotëm të Shtabit të krizave.
Në pyetjen e gazetarëve nëse dhe si veprohet sipas shembujve të njerëzve të cilët bëjnë dasma nëpër oborre, ajo kërkoi që qytetarët të jenë të kujdesshëm.
“Inspeksionet në nivel qendror dhe lokal kryesisht ndjekin subjekte juridike të cilat duhet t’i respektojnë protokollet dhe të mos e lejojnë praninë e më shumë se 50 personave dhe me ruajtjen e distancës. Ne absolutikisht do të vazhdojmë me kontrollin e subjekteve juridike të cilët kanë për obligim t’i respektojnë protokollet. Dëshiroj të bëj apel deri tek të gjithë që kanë tubime familjare të jenë të kujdesshëm, të respektohet parimi i distancës dhe të ruhet shëndeti i të gjithëve. MPB ka mundësi të pasojë prishja e rendit dhe qetësisë publike. Nëse ka padi të tipit të tillë ata do të intervenojnë. Gjatë fundjavës nuk ka pasur shembuj të tillë”, tha Arifi.
Shtabi i krizave në kuadër të Komunës së Tetovës sot shënoi gjashtë persona të rinj të cilët janë prekur nga Kovid-19 ndërsa të shëruar janë 11. Sipas të dhënave të cilat i kumtoi kryetarja e Tetovës të diagnostikuar në Tetovë janë 998 persona, të shëruar 649 ndërsa 71 persona kanë vdekur me çka raste aktive në gjashtë komuna janë 278.
“Shënojmë tendencë të rënies lidhur me personat e sapodiagnostikuar. Për një periudhë të gjatë nuk kemi pasur numër dyshifror të të prekurve. Informacionet thonë se në spitale i kemi 13 persona të cilët trajtohen, por të gjithë ata janë në gjendje stabile dhe me pasqyrë të lehtë klinike. Vlerësoj se edhe qytetarët kontribuojnë për uljen e numrave me respektimin e masave”, theksoi Arifi.
Comments are closed for this post.