Gjatë orës policore Inspektorati Shtetëror i Tregut në çdo qytet ka ekipe kujdestare të cilat do të bëjnë kontrollin e marketeve të cilat punojnë dhe nëse kanë leje përkatëse, deklaroi drejtori i Inspektoratit Shtetëror të Tregut, Stojko Paunovski.

“Përveç marketeve të cilat janë caktuar nga Shtabi i Krizave në qytete, të tjerat nuk kanë të drejtë të punojnë edhe nëse hasen duke punuar do të sanksionohen”, theksoi Paunovski.

Sqaroi se të gjitha objektet hotelierike për të cilat është bërë procesverbal dhe janë mbyllur nga Inspektorati Shtetëror i Tregut, fillimisht janë dorëzuar urdhëresa pagesore për gjobë, dhe nëse nuk paguhen në afatin e caktuar, atëherë dërgohen në gjykatë.

“Që do të thotë se dënime të shqiptuara nuk ka akoma, megjithatë nëse do t’i paguajnë në afat prej tetë ditësh gjobat apo do të shkojnë në gjykatë, kjo është e drejtë e vetë subjekteve”, tha Paunovski.