Agjencitë turistike thonë se janë në prag të anulimit të prenotimeve për në Itali. Udhëtarët janë në panik dhe pavarësisht rezervimeve kërkojnë që të anulohen udhëtimet e tyre. Nga ana tjetër agjencitë thonë se virusi korona, pritet të sjell dëme të mëdha materiale tek bizneset e tyre. Virusi vdekjeprurës tanimë është paraqitur edhe në Greqi. Autoritetet e atjeshme konfirmuan se një grua e moshës 38 vjeçe ka rezultuar pozitive në testimin e virusit korona. Paraprakisht ajo kishte udhëtuar në rajonin e Italisë veriore. Ndërkohë edhe shumë shtete të tjera të Evropës kanë raportuar për raste me Covid 19 të cilët kryesisht kanë udhëtuar në Itali. Ministrat e Shëndetësisë të Francës, Gjermanisë, Italisë kanë thënë se pavarësisht se po shtohet numri i personave të prekur në qendër dhe jug të Italisë, ata nuk planifikojnë mbylljen e kufijve. Në nivel botëror numri i të prekurve ka kaluar 80,000 ndërsa i të vdekurve në mbi 2,700 kryesisht në Kinë. Në pjesën tjetër të botës ka pasur më shumë se 40 vdekje dhe mbi 2,700 raste të prekura.

Kemi dy grupe pasagjerësh për në Milano, njëri është në fillim të marsit dhe tjetri nga fundi. Kishte reagime nga udhëtarët, donin të anulohet udhëtimi. Të gjitha mjetet për të gjitha aranzhmanet janë paguar komplet për gjithë grupin. Hotelet janë paguar që nga tetori i vitit të kaluar, janë dhënë avans nga 40-50%. Ne mundemi të anulojmë udhëtimin për në Milano aty ku hoteli na e konfirmoi se do i kthejë paratë e dhëna, ndërsa paratë për biletat e avioni nuk do të kthehen. Do të detyrohemi që udhëtarët t’i detyrojmë për shpenzimet reale- deklaroi Zoran Kovaçeviç, Pronar i agjencionit “Magelan Travel Service”.