Pavarësisht anëtarësimit në NATO, siguria në vend nuk mbetet e pacenuar. Presidenti Stevo Pendarovski thotë se vendi por edhe rajoni mbeten të rrezikuar nga terrorizmi, ekstremizmi dhe lufta kibernetike, por që parandalimi i tyre është më i lehtë në krah me 29 vendet tjera anëtarë të Aleancës Veriatlanike.

Kuptohet që me anëtarësimin në NATO jo të gjitha rreziqet ndaj sigurisë do të zhduken. Jetojmë në botë dinamike ku rreziqet janë asimetrike dhe nuk mund të injorohen, si: terrorizmi, ekstremizmi fetar, sulmet kibernetike, fushata me lajme të rreme dhe luftërat hibride janë realitet dhe nuk do të zhduken së shpejti. Rruga më e mirë për t’u ballafaquar me rreziqet bashkëkohore është siguria kolektive. Nuk jemi vetëm. Kemi aleatë me të cilët mund t’i parandalojmë këto burime të rreziqeve”-tha Stevo Pendarovski, president.

Ambasadorja e SHBA-ve thotë se vendi duhet të fokusohet edhe më shumë në reforma, që pas anëtarësimit në NATO, energjia të koncentrohet në datën për negociata me BE-në.

Shpresoj se ftesa për fillimin e bisedimeve me BE-në do të vije shumë shpejtë, madje për disa muaj. Por dua të theksoj se duhet të mbeteni të fokusuar në reforma dhe ndryshimet thelbësore në institucionet demokratike me qëllim që të jeni të përgatitur për në BE kur do të vijë dita dhe ajo ditë do të vijë. Ju do të jeni të barabartë dhe do ta keni zërin tuaj”-pohoi Kejt Meri Bërns, Ambasadore e SHBA-ve në Shkup.

Pas ratifikimit të protokollit përfundimtar në Parlamentin vendas, Maqedonia e Veriut duhet të angazhohet për rritjen e buxhetit të armatës deri në 2 për qind nga BPV-ja.