Mbi 400 femra nga vendi dhe shtete fqinje, që ofrojnë shërbime seksuale, veprojnë në rajonin e Gostivarit dhe Kërçovës. Kjo është shifra zyrtare që posedon Organizata Joqeveritare “Help” me seli në Gostivar. Nga kjo zyrë thonë se mbi 70 për qind e femrave që e ushtrojnë këtë veprimtari ilegalisht, janë përdorues aktiv të drogës por edhe janë të diagnostifikuar me hepatit C, shkruan gazeta KOHA.
Megjithatë, edhe përkundër këtij numri të lartë, nga kjo organizatë bëjnë të ditur se të njëjtat kryejnë në vazhdimësi testime se a janë të infektuar me HIV. “Nga shoqata joqeveritare Hera në Shkup një herë në muaj vjen staf mjekësor ku këta punëtore testohen për HIV dhe hepatit C. Testimi është në mënyrë anonime ku ata që vijnë nuk japin të dhëna personale por vetëm me shifra. Organizata jonë merret me punonjëset seksuale në rajonin e Gostivarit dhe Kërçovës, dhe 60 për qind ose 70 për qind e tyre janë të varur nga droga”, thotë kryetari i shoqatës joqeveritare Help në Gostivar, Zoran Popovski.
Sipas tij, edhe pse asnjë prej këtyre femrave nuk është e diagnostifikuar me HIV/SIDA, megjithatë mungojnë programet për trajtimin e tyre. Nga kjo shoqatë pohojnë se krahas testimeve në zyrat e shoqatës, po ashtu kryhen testime edhe në teren. “Kemi edhe kontrolle stacionare, të cilat i kemi filluar nga viti 2015 dhe atë vit kishim 80 testime, në vitin 2016 kishim 160 testime dhe brenda vitit arrijmë të kemi rreth 100 testime. Ndërsa me furgon, nga viti 2005 kur e kemi filluar atë testim, kemi mbi 2000 persona të testuar. Për fat të mirë, mund të them se HIV/AIDS nuk kemi zbuluar deri më tani, por raste me Hepatit C që kemi zbuluar janë të shumtë”, deklaroi Popovski.
Drejtuesi i shoqatës joqeveritare “Help” tha se numri i punonjësve seksuale është gjithmonë në rritje, duke nënvizuar se këtu nuk llogaritin vajzat nën moshë edhe pse ka shumë, por në Republikën e Maqedonisë Veriore ende nuk ka program për trajtim të punonjësve seksuale, si edhe të të rinjve që janë përdorues aktiv të drogës. Programi për punëtoret seksuale që përfshinë qytetet Gostivar dhe Kërçovë ka filluar të realizohet nga vitit 2008. Dyshimet janë se numri prej 400 është shumë i madh në këto dy rajone. Kryesisht, këto vajza punojnë në lokale nate por edhe veprimtarinë e tyre e ushtrojnë nëpër forma tjera. Përderisa për qytetin e Tetovës dhe rrethinën nuk ka të dhëna, dyshimet janë se edhe në këtë pjesë të Pollogut numri i tyre është më i madh se në këto dy qytete tjera. Shifrat për këtë qytet mungojnë, ashtu siç mungojnë edhe qendra për trajtimin e tyre. Me vite të tëra në qytetin e Tetovës, respektivisht afër stacionit të autobusëve, gjatë orëve të mbrëmjes vërehen femra që e shesin trupin e tyre. Kryesisht bëhet fjalë për femra të nacionalitetit rom. Deri më tash nuk është ndërmarrë asnjë për largimin e tyre apo dërgimin në qendra sociale, por janë lejuar që të ushtrojnë këtë veprimtari në sy të qytetarëve të Tetovës. (koha.mk)
Comments are closed for this post.