Yahya Abdul-Mateen II, aktori i cili në filmin “Aquaman” e luajti personazhin me emrin Black Manta, i është bashkuar kastit të rebootit të Matrixit, regjinë e të cilit do ta bëjë Lana Wachowski.

Mateen do ta luajë një nga rolet kryesore, ndërsa supozohet se bëhet fjalë për rolin e Morpheusit të ri, të cilin në filmat origjinal e luan Laurence Fishburne, megjithëse ende nuk kemi konfirm zyrtar.

Aktori i ri do t’i bashkohet kastit të franshizës origjinale, Keanu Reeves dhe Carrie-Ann Moss, të cilët do t’i reprizojnë rolet e tyre.

Alexander Hemon dhe David Mitchell do ta bëjnë skenarin, ndërsa Wachowski do ta bëjë produksionin e filmit, së bashku me Grant Hill, shkruan KOHA Ditore. Lilly Wachowski, e cila me motrën e saj e ka bërë regjinë, e shkroi skenarin dhe e bëri produksionin e trilogjisë origjinale, raportohet se nuk do të përfshihet fare në projektin e ri.

Ende nuk dihet se kur saktësisht mund ta shohim filmin, por produksioni thuhet se do të duhej të fillojë në vitin 2020, kështu që e presim daljen brenda disa viteve.