Prokuroria Speciale Publike (PSP) përmes një njoftimi për media ka reaguar në lidhje me videon e publikuar për rastin “Haraçi”, në të cilën shihet se si “Boki 13” dhe “Zoki” i kanë marrë paratë nga afaristi Jordan Kamçev.

Nga PSP thonë se në pamjet e publikuara shihet se nuk ka lidhje mes të thënave në video dhe propozimeve për paraburgim nga PSP.

“Më 6 shkurt të vitit 2019, PSP në Gjykatën e Apelit ka dorëzuar propozim për vazhdimin e masës së arrestit shtëpiak për tre personat e dyshuar. Duke vepruar për këto propozime, Gjykata e Apelit më 7 shkurt 2019 ka sjellur vendim për vazhdimin e masës së arrestit shtëpiak për 30 ditë”.

“Më pas, kundër vendimit të Gjykatës së Apelit tre të dyshuarit kanë dorëzuar ankesa në Gjykatën e Lartë. Ndërsa PSP më 21 shkurt 2019 në Gjykatën e Lartë ka dorëzuar propozim që ankesat e të dyshuarve të refuzohen si të pabaza dhe të konfirmohet vendimi i Gjykatës së Apelit për vazhdimin e masës së arrestit shtëpiak”.

“Gjykata e Lartë edhe përkundër propozimeve të PSP-së, më 4 mars 2019 solli vendim me të cilin pranoi ankesat e tre personave të dyshuar, me çka ua shfuqizoi masat e arrestit shtëpiak”.

“Përkundër gjitha mendimeve të dhëna nga PSP që të mos ju shfuqizohet masa e arrestit shtëpiak, Gjykata e Lartë vendosi kundër. Shpresojmë që këto shpjegime do të ndërprejnë të gjitha spekulimet lidhur me PSP-në me rastin ‘Haraçi’”, thonë nga PSP.