Eurokomisari për zgjerim të BE-së, Johannes Hahn në intervistë për gazetën “Standard” të Austrisë e ka lavdëruar qeverinë e Maqedonisë për shkak se e ka përfshirë edhe opozitën në bisedime, pas vizitës së tij në Shkup.

Për takimin me liderin e OBRM-PDUKM-së, Hristijan Mickoski, Hahn thotë se i bënë thirrje që të vazhdojë të tregoj qëndrim konstruktiv.

Ai shtoi se Maqedonia duhet të shpërblehet me datën për bisedime pas gjithë përpjekjeve të saj dhe pajtohet se vendi është një ndër të rrallët në rajon që kanë hedhur nacionalizmin.

“Qeveritë e tjera në rajon shumë mirë e dinë se rruga në të cilën po ecën Maqedonia e Veriut është e vërteta. Në shumë bisedime ma kanë konfirmuar këtë, por veprimet e tyre janë të ndryshme. Në këtë kontekst, politikanët në Maqedoninë e Veriut janë shembull për sjelljen e një trendi të ri. Kështu që, nëse Maqedonia e Veriut i lejohet hapja e negociatave në tetor, siç pritet, atëherë shpresoj se kjo do të ndikon pozitivisht në rajon”, tha Hahn.

Ai tha se kryeministri i Maqedonisë së Veriut tregoi se “kapja e shtetit” mund të tejkalohet, sepse partia në pushtet ka ndërmarrë masa për ta larguar shtetin nga interesat partiake.

Hahn shprehu shpresën që hetimi për rastin “Haraçi” do të bëhet në mënyrë të pavarur dhe rrënjësisht./