E përditshmja angleze, Daily Star, raporton se Granit Xhaka mund të jetë kapiteni i Arsenalit për sezonin e ardhshëm. Klubi londinez e mori këtë vendim në mënyrë që t’i ndalë spekulimet për transferimin e mesfushorit në Atletico Madrid.
Gjiganti spanjoll do ta humbë mesfushorin 22-vjeçar Rodri te Manchester City, pasi që kampioni i Premierligës është shumë afër arritjes së një marrëveshjeje për 62.5 milionë funte, transmeton Gazeta Express.
Drejtuesit e Altetico Madridit shprehën interesim për ta transferuar Xhakën si zëvendësues për Rodrin, si dhe Marcos Llorente e Real Madridit, marrëveshje kjo e cila tashmë është konfirmuar.
Transferimi i Llorentes ka bërë që Atletico Madridi ta ulë interesimin për yllin e Kombëtares së Zvicrës, mirëpo Daily Star raporton se drejtuesit e Arsenalit dëshirojnë t’i ofrojnë Xhakës shiritin e kapitenit për t’u siguruar se ai do të qëndrojë në klub.
26-vjeçari i bëri 29 paraqitje për Arsenalin gjatë sezonit 2018/19, në të cilat kontribuoi me katër gola dhe pesë asiste. Megjithatë, ai e mbylli këtë sezon i zhgënjyer pasi që Arsenali dështoi për herë të tretë radhazi të kualifikohet në Ligën e Kampionëve.
Interesim për ta transferuar Xhakën gjatë këtij afati kalimtar të verës nuk shprehu vetëm Atletico Madridi, por edhe Interi. Megjithatë, Xhaka e mohoi këtë gjë në Prishtinë, ku tha se s’ka asgjë të vërtetë në këto spekulime.
Comments are closed for this post.