Dorëheqjen e paralajmëruar nga pozita e deputetit, ish-kryeministri Nikolla Gruevski i cili ndodhet në arrati në Hungari, e ka dorëzuar më 5 qershor (e mërkurë) në Kuvend.

Pritet që të hënën në takimin koordinues mes kryetarit Talat Xhaferi dhe koordinatorëve të grupeve të deputetëve të shqyrtohet dorëheqja e Gruevskit dhe të vendosin nëse do të jetë në rend dite në seancën e radhës të caktuar për të martën.

Talat Xhaferi në një deklaratë për AIM tha se dorëheqja ka arritur me akt noterial dhe vula adekuate të cilat konfirmojnë se bëhet fjalë për deklaratë personale të Gruevskit.

“Kërkesa është pranuar më 5 qershor. Është dërguar të përkthehet nga gjuha hungareze dhe kur të jetë gati do të gjendet para deputetëve”, tha Xhaferi.

Nëse Xhaferi dhe koordinatorët e grupeve të deputetëve të hënën vendosin ta pranojnë dorëheqjen e Gruevskit të dorëzuar përmes aktit noterial si deklaratë personale, e njëjta do të jetë në rend dite në seancën e 102 të Kuvendit, e caktuar për më 11 qershor.