Kandidatët për president të Republikës së Maqedonisë së Veriut e vazhdojnë fushatën, ku në takime me qytetarë dhe tubime i prezantojnë programet e tyre zgjedhore.

Blerim Reka, i cili në këto zgjedhje të gjashta presidenciale merr pjesë me përkrahje të opozitës shqiptare, programin e vet zgjedhor do ta prezantojë para qytetarëve të Dibrës, kandidatja e VMRO-DPMNE-së Gordana Siljanovska Davkova do të qëndrojë në Demir Hisar dhe Manastir, derisa kandidati i LSDM-së Stevo Pendarovski do të ketë takime me qytetarë të Çeshinovës, Obleshevës dhe Pehçevës dhe tribuna qytetare në Berovë dhe Dellçevë.

Fushata zyrtarisht ka filluar më 1 prill, ndërsa do të zgjas deri më 19 prill pas së cilës pason heshtje 24 orësh para ditës së zgjedhjeve.

Pendarovski nën moton “Bashkë përpara” e filloi fushatën nga Prilepi, Siljanovska nën sloganin “Drejtësi për të gjithë” nga vendlindja e Ohrit, derisa Reka nën moton “Republikë për të gjithë” nga Shkupi.

Tre kandidatët për president të shtetit kanë premtuar fushatë të qetë dhe korrekte në pothuajse gjitha vendet e populluara.