Një neozelandez 18 vjeçar e shpërndau në Facebook transmetimin live të atentatit – dhe prandaj ndodhet para gjyqit. A do ta priste atë edhe në Gjermani ndjekja penale?
Në Gjermani është e dënueshme penalisht që të shpërndash në internet video, të cilat tregojnë dhunë mizore ose çnjerëzore. Kjo është e rregulluar në paragrafin 131 të Kodit Penal. Por kjo nuk do të thotë se ndalohet çdo paraqitje dhune. Në video duhet të dalë në pah “një tendencë përçmuese ose shpërfillëse”.
Kjo ndodh për shembull kur tregohet se si dikush vret, sepse i jep kënaqësi një njeriu tjetër ose i shkakton atij vuajtje të veçanta. Dhuna në këtë akt duhet të apologjizohet. Nuk është e dënueshme, kur tregohen vetëm pasoja e një akti dhune – për shembull video kufomash në vendin e krimit. Megjithatë në një rast të tillë mund të shkelen të drejtat personale.
A dënohet shpërndarja e videove edhe nga paragrafë të tjerë?
Më tej është e ndaluar që të shpërndash fotografi të personave në situata të çoroditura. Në fakt paragrafi 201a i Kodit Penal gjerman drejtohet kundër atyre që e bëjnë këtë me celularë inteligjentë (smartphone). Por sipas mendimit të ekspertëve ligjorë, ai mund të zbatohet edhe kur dikush transmeton drejtpërdrejt një atentat terrorist.
A është e dënueshme edhe kur e shpërndan një video të tillë më vonë?
Po, nuk ka rëndësi nëse videoja transmetohet (stream) vetë drejtpërdrejt, nëse e ndan një stream të tillë apo e shpërndan videon e regjistruar më vonë, pra me distancë kohore. Pra shpërndarja e videos së atentatit të Christchurch sipas ligjeve gjermane do të ishte e dënueshme
Po gazetarët që e shpërndajnë videon, a bëjnë akt të dënueshëm?
Shprehimisht i lejuar është raportimi për procese aktuale të kohës ose të historisë. Kur gazetarët i referohen këtyre kur e publikojnë një video të dhunshme, atëherë publikimi duhet t’i shërbejë vërtet raportimit. Raporti nuk lejohet të përdoret si pretekst. Për gazetarët vlen veç kësaj Kodi i Shtypit. Këtu përmbahen direktive të Këshillit të Shtypit, me të cilat synohet të ndalohet për shembull gazetaria për sensacion.
Cilat dënime parashikohen?
Sipas paragrafit 131 të Kodit Penal gjerman kërcënon një dënim me burgim prej një viti ose një gjobë. Një dënim më i gjatë – deri në tre vjet burg – kërcënon kur bëhet e qartë se i miraton aktet, pra i mbështet. Kjo mund të rezultojë për shembull nga përshkrimi i videos në një kanal në youtube ose nga tekste shoqëruese të shkruara vetë në Facebook./DW
Comments are closed for this post.