A është dashuria një gënjeshtër? A mund të jesh lumturisht i martuar? Po, por edhe jo, sipas terapistes së çifteve, Esther Perel.
Martesa që njohim – ose më saktë, martesa që idealizojmë – i përket kohëve të fundit. Kërkimi i një personi të vetëm, që ju përmbush, që ju do përjetë, është një koncept i ri. “Në historinë e familjes, mirëqenia emocionale e çiftit s’ka pasur kurrë ndikim në mbijetesën e familjes,” thotë ajo. “Një çift mund të vuante për 30 vite, por s’kishte ç’bënte. Ishin të martuar për jetë – dhe nëse s’u pëlqente, mund t’i uronin vdekjen partnerit.”
Me kalimin e kohës, jemi ngjitur sipër “hierarkisë së nevojave të Maslow”, thotë ajo. Dikur kërkonim siguri fizike, ndërsa tani kërkojmë forma më të sofistikuara të “vetë aktualizimit”. Kërkojmë “nga një person i vetëm atë që dikur ofronte një fshat i tërë.”
Ky është një përmirësim i martesës së mjerueshme ku për 30 vjet thjesht uronim vdekjen e partnerit. Por, sipas Perel, duhet të kemi parasysh se kemi të bëjmë me territore të pa eksploruara dhe se duhet të tregohemi më tolerantë me veten dhe tjetrin krah nesh. Ky model i ri, ku zgjedhjet kanë zëvendësuar rregullat, shoqërohet me nxitësit e vet të stresit.
“Çfarë dikur vendosej nga rregullat, detyra dhe detyrimet, sot duhet të vendoset duke biseduar. Kështu që gjithçka është negociatë. Negocioni me partnerin për vendin ku doni të jetoni, nëse doni fëmijë, sa fëmijë doni, nëse i doni tani apo më vonë. Është një rrëmujë e pafundme ekzistenciale. Po përpiqem të them që s’po vuani pa shkak.”
Atëherë ka kuptim që marrëdhëniet moderne janë një burim i pafundmë dhimbjeje, stresi dhe ankthi. Me gjithë këto vendime që duhen marrë, s’është habi që gjërat s’funksionojnë. Sidoqoftë, me humor dhe dashamirësi mund t’ia dalim. Perel e krahason dashurinë me hënën: “Është e çuditshme mënyra si [dashuria] tërhiqet dhe rrjedh. Kur mendojmë se është zhdukur, shfaqet sërish. Dashuria s’është një gjendje e përhershme entuziasmi.”
Comments are closed for this post.