Në Gjykatën penale sot duhet të mbahet seancë e re gjyqësore për Besir Belën dhe Skender Demirin, të akuzuar për vrasjen e Nikolla Sazdovskit.
Më 7 shkurt është bërë rikonstruim i vrasjes së Sazdovskit në prani të dëshmitarëve dhe ekspertëve. Rikonstruimi ka zgjatur pothuajse tre orë në stacionin e autobusëve në Autokomandë nën sigurim të madh policor.
Avokati i të dëmtuarve, Vanço Shehtanski tha se tregimi i mbrojtjes për një kuti “fantome” metalike sot ka rënë në ujë.
“Nuk ekziston një kuti metalike, ajo është kuti e plastifikuar dhe nuk mund të shkaktojë kurrfarë pasoja, megjithatë edhe nga deklarata e dëshmive qartë është parë, si dhe nga deklarata e ekspertit se pasojat janë nga goditjet të cilat kanë zgjatur një deri në një minutë e gjysmë”, theksoi Shehtanski.
Sipas avokatit të të akuzuarve, Naser Raufi, nga rikonstruimi është parë se i ndjeri Nikolla e ka humbur jetën për shkak se është përplasur në kutinë e EVN-së.
Lidhur me deklaratën e avokatit të të dëmtuarit për mospasjen e mundësisë për të shkaktuar vdekje si pasojë e një kutie plastike, Raufi tha se ata si mbrojtje do të thirrin persona nga EVN-ja të cilët do të sqarojnë se ajo është kuti metalike, por e mbështjellë me plastikë.
Sipas aktakuzës, Bela dhe Demiri së bashku me J.L (19) i cili është në arrati, më 26 qershor të vitit të kaluar e kanë rrahur Sazdovskin në stacionin policor para fabrikës “Alkaloid” në bulevardin “Aleksandri i Maqedonisë” në Autokomandë.
Nga lëndimet e marra Sazdovskiu më 9 korrik ndërroi jetë në Klinikën për Anestezi, Reanimacion dhe Mjekim Intensiv.
Dy të akuzuarit janë në paraburgim në burgun e Shuto Orizares, ndërsa për të dyshuarin e tretë, i cili akoma është i pakapshëm për organet e rendit, është lëshuar flet-arrest ndërkombëtar dhe vendor./MIA/
Comments are closed for this post.