Trupi i Aleksandar Karadakoskit, viktima e 60-të nga zjarri në diskotekën “Puls” në Koçan, është transportuar dje nga Lituania në Maqedoninë e Veriut dhe më pas është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për autopsi.

Varrimi i Karadakoskit do të mbahet nesër (8 prill) në orën 14:00.

Karadakoski, pas zjarrit në diskotekë, ishte dërguar për trajtim në Lituani. Autoritetet shëndetësore në Maqedoni konfirmuan se ai ishte pacienti më kritik, me rreth 35% djegie të shkallës së dytë dhe të tretë në kokë, qafë dhe duar. Rrugët e frymëmarrjes ishin dëmtuar rëndë me djegie në rreth 90% të tyre.

Gjendja e tij u përkeqësua më 1 prill dhe ishte vendosur në dializë për shkak të dështimit të veshkave. Ai ndërroi jetë më 4 prill.

Për autoritetet hetimore, Karadakoski ishte një nga të dyshuarit për zjarrin në “Puls”. Sipas informacioneve nga Prokuroria, ai ishte menaxher i firmës “MMMM Cafe DOOEL Koçani” që menaxhonte diskotekën. Karadakoski në fakt ishte menaxher vetëm në letër, ndërsa punonte në diskotekë.