Komiteti drejtues për koordinim dhe menaxhim të krizave i rekomandoi Qeverisë që urgjentisht të riorganizojë sistemin për ballafaqim me krizat. Ministri I Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski thotë se ideja është që Qendra për Menaxhim me Krizat (QMK) dhe Drejtoria për Mbrojtje dhe Shpëtim të bashkohen në një trup të vetëm.
“Absolutisht po, kjo është në drejtim të ndërtimit të një sistemi në të ardhmen. Dobësitë i shihni të gjithë, nuk duhet t’ua sqarojmë, është fakt se duhet të riorganizohemi në mënyrë thelbësore në drejtim të një reagimi të duhur për një gjendje të tillë krize. Kjo që ju tani po e përmendni, është pikërisht një prej pikave që janë diskutuar dhe po mendohet në drejtim të krijimit të një trupi në të ardhmen, që do t’i ketë edhe kapacitetet materiale edhe njerëzore që të përgjigjet në mënyrën e duhur ndaj situatave të tilla të krizës”, deklaroi Pançe Toshkovski, Ministër i Punëve të Brendshme.
Vendimi i dytë ka të bëjë me sigurimin e 15 tonëve derivate nga rezervat shtetërore, që do t’i ndahen ndërmarrjes publike “Pyjet kombëtare ”, e cila për shkak të llogarive të bllokuara, nuk mori pjesë në luftën kundër zjarreve në periudhën e fundit.
“Vendimi i dytë ka të bëjë, pikërisht për reagimin e duhur dhe në kohë, të Ndërmarrjes Publike ‘Pyjet kombëtare’ e cila siç e dini është në gjendje katastrofike dhe atë në drejtim të sigurimit të 15 tonëve derivate nga ana e rezervave që i ka shteti, me qëllim që të njëjtit të mund të ndihmojnë në gjendjen e përgjithshme të krizës që ndodhi me zjarret”, tha Pançe Toshkovski, Ministër i Punëve të Brendshme.
Në mbledhjen e komitetit drejtues morën pjesë edhe ministri i Shëndetësisë, ai i Bujqësisë, ministri i Mbrojtjes, drejtori i ndërmarrjes publike “Pyjet kombëtare” dhe ai i Qendrës për Menaxhim me Krizat.
Comments are closed for this post.