Ministri i Shëndetësisë Venko Filipçe, sot në konferencë për shtyp tha se sipas analizave që i kanë bërë, 73 përqind e pacientëve që kanë vdekur nga COVID-19 kanë pasur së paku dy sëmundje kronike.

Ai tha se kjo kërkon “skrining” të hollësishëm të gjendjes së përgjithshme shëndetësore të popullsisë, përcjell Telegrafi Maqedoni.

Ai tha se “skriningu” do të përfshijë gjendjen shëndetësore të mëparshme të pacientëve, llojet e sëmundjeve kronike, mënyra e mjekimit, rregullshmëria në marrjen e terapisë dhe qasja drejt saj, se sa shpesh shkojnë në kontrolle mjekësore.

“Kjo është një analizë shumë e rëndësishme që duhet ta bëjnë më shumë vende. Biseduam me disa institucione ndërkombëtare në mes të cilave edhe me UNICEF-in në pjesën e mjekimit shëndetësor afër shtëpive shëndetësore”, shtoi Filipçe duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.

Ai gjithashtu tha se shumica e të rinjve e kalojnë COVID-19 pa simptoma, por ata njihen si transmetues të virusit.

“Për momentin gjendja në shkolla është stabile, por për shkak të kujdesit dhe posedimit të informacioneve të sakta, në përgatitje është metodologjia për zbatimin e testimit skrining për nxënësit të shkollave fillore dhe të mesme. Testimi i nxënësve do të bëhet me teste të shpejta antigjene”, tha Filipçe.