Ish sekretari i përgjithshëm i Qeverisë, Muhamed Zeqiri, pas shpalljes së sotme të aktgjykimit – dënim me dy vjet e gjashtë muaj për keqpërdorim të pozitës dhe autoritetit zyrtar, në një deklaratë për media tha se është i pabazuar dhe do të ankimohet.
“Mendoj se vendimi është i pabazuar. Ne do ta ankimojmë vendimin, sepse gjatë gjithë procesit, askund dhe në asnjë moment nuk u dëshmua qëllimi im për lidhjen e marrëveshjeve, sepse kam zbatuar vetëm synimet e të tjerëve, gjegjësisht të Qeverisë, të propozuara nga zëvendëskryeministri për Çështje Ekonomike, Fatmir Bytyqi”, tha Zeqiri.
Zeqirit i kanë mbetur edhe 11 muaj burg, nëse vendimi i sotëm i Gjykatës mbetet në fuqi. Koha e kaluar në paraburgim dhe në arrest shtëpiak do të llogaritet gjithashtu në dënimin e tij me burg.
I pyetur se si do t’i sigurojë 71 milionë denarë, Zeqiri tha se do ta shohin se cili do të jetë vendimi përfundimtar, sepse do ta ankimojnë aktgjykimin.
Sipas aktgjykimit të shpallur sot nga gjyqtarja Fanka Jançulovska Mihailovski, i dyshuari ka kryer dy veprime kohore, me të cilat si zyrtar ka ndërmarrë veprime me qëllim të përfitimit të interesit pronësor për tjetrin.
Zeqiri akuzohet se në periudhën nga prilli i vitit 2021 deri në janar të vitit 2022, në cilësinë e Sekretarit të Përgjithshëm të Qeverisë, pa kryer një prokurim publik, ka lidhur kontrata për shërbime konsulence në vlerë të përgjithshme prej gati një milion euro, gjegjësisht 147 mijë euro më shumë nga 795.000 të dakorduara paraprakisht.
“Gjykata gjatë vlerësimit të llojit dhe masës së sanksionit penal ka pasur parasysh se për këtë vepër penale me ndryshimet në Kodin Penal është paraparë dënim me burg nga një deri në pesë vjet. Si rrethanë rënduese, ai vlerësoi në radhë të parë rrezikshmërinë shoqërore të këtij lloji të veprave penale, shpeshtësinë e tyre, si në vendin tonë dhe më gjerë, si dhe masën e përfitimit pronësor të përfituar për dy operatorët ekonomikë në dëm të Buxhetit të Republika e Maqedonisë. Dhe kryerja e veprës jo vetëm që është në kundërshtim me karakterin publik dhe juridik të pozitës së Sekretarit të Përgjithshëm, si person i parë i shërbimit për ndihmë profesionale të Qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, por krijon edhe mosbesim në Qeveri dhe në bartësit e funksioneve publike,” u tha në sallën e gjyqit.
Si rrethana lehtësuese, Gjykata vlerësoi rrethanat personale, familjare dhe materiale të të akuzuarit, pra se ai nuk ishte krijuesi i idesë së nevojës për fillimin e procedurës për partneritet publik privat apo shitjen e SHA Posta e RMV-së dhe Hekurudhat e RMV Transport, por vetëm ia zgjodhi mënyrën e lidhjes së kontratave.
Comments are closed for this post.