Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky do t’i adresohet samitit të NATO-s virtualisht në mbledhjen e liderëve botërorë që do të mblidhen të enjten.

“Presidenti Zelensky është i ftuar të adresohet në samitin e NATO-s përmes një videolinku. Kjo do të jetë një mundësi për të gjithë liderët që të dëgjojnë drejtpërdrejtë nga presidenti Zelensky për situatën në Ukrainë dhe atë me çfarë po përballen populli ukrainas për shkak të agresionit rus”, tha një zyrtar i NATO-s.

Një zëdhënës i Zelenskyt i tha Interfax-it se presidenti do të paraqitet përmes videolidhjes në një kohë gjatë konferencës, por për detaje të tjera ende nuk dihet.

Gjatë ditëve të fundit, Zelensky i është adresuar përmes video-lidhjes parlamenteve dhe institucioneve ligjvënëse të shumë shteteve përfshirë të Shteteve të Bashkuara, Kanadasë, Gjermanisë, Izraelit dhe Italisë. Ai po ashtu pritet të mbajë fjalim para Asamblesë Kombëtare të Francës.