Ish-ministrja bullgare e Punëve të Jashme dhe deputetja nga radhët e partisë GERB, Ekaterina Zaharieva ka deklaruar për mediat bullgare se oferta e Bullgarisë ndaj Maqedonisë për largimin e vetos ishte e mirë, por mungesa e qëndrimit zyrtar nga të dyja shtetet bëri që propozimi francez mos të ketë sukses.
“Mungesa e qëndrimit për më shumë se një javë për propozimin francez për rregullimin e marrëdhënieve midis Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut i ka përkeqësuar gjërat. Kjo pasiguri ishte edhe në Bullgari, e patë sa ditë kishte heshtje? Në seancën e Komisionit për Politikë të Jashtme nga e premtja e deri më tani nuk ka pasur qëndrim të qeverisë së Kiril Petkovit. Petkov i përkeqësoi gjërat dhe ishte një gabim, ne duhej të vepronim pak më shpejt dhe pak me më përgjegjësi”, tha ajo.
Ajo iu referua edhe refuzimit të ashpër të propozimit francez nga pala maqedonase.
“Kjo është një tjetër dëshmi se kjo kornizë negociuese dhe paketa e arritur janë të mira. Kjo nuk është hera e parë që politikanët e Maqedonisë luajnë dhe tentojnë të dalin të pafajshëm” tha ajo.
Duke komentuar situatën në Maqedoninë e Veriut, Zaharieva theksoi se tranzicioni drejt një demokracie funksionale nuk është një proces i lehtë.
“Kjo është edhe një dëshmi se kishim të drejtë, kur në mars të vitit 2020 vendosëm që reformat në Maqedoninë e Veriut të bëhen pjesë e kornizës negociuese. Autoritetet në Shkup duan apo nuk duan, do të duhet ta pranojnë dhe zbatojnë kriteret tona nëse vërtet duan të anëtarësohen në BE”, tha Zaharieva.
Comments are closed for this post.