Lidhja Social Demokrate Maqedonase (LSDM) mund të dal me tjetër mandatar për formimin e Qeverisë dhe jo me liderin e saj Zoran Zaev.
Ky mund të jetë kompromis midis LSDM dhe BDI, e cila do të heq dorë nga propozimi i saj për mandatar shqiptar.

Burime partiake thanë për INA se kjo çështje është në tryezën e negociatave, por që asgjë nuk është definitive, pasi që Zaev vështirë të heq dorë, pasi që është fitues i zgjedhjeve.

“Ky është një nga propozimet e shpalosura, sepse synohet që të shkohet me një kabinet qeveritar pa bagazhe dhe pa biografi të implikuara në përgjime dhe skandale që ishin pjesë e përplasjeve politike gjatë periudhës së fundit”, mëson INA nga burime partiake.

Edhe bashkësia ndërkombëtare kërkon një Qeveri me emra të rinj, që nuk janë të implikuar në përgjime, skandale dhe afera korruptive, por edhe afera tjera, pasi që bëhet fjalë tashmë për një vend anëtar të NATO-s.

Këtë kusht ditë më parë e paralajmëroi edhe presidenti i vendit Stevo Pendarovski. Sipas tij, qeveria e ardhshme duhet të formohet me respektimin e vazhdueshëm të tre kritereve vijuese: së pari, të gjithë ministrat, jo vetëm ata që janë direkt përgjegjës për integrimin evropian, të jenë njerëz me kapacitet demokratik dhe orientim pro-evropian, së dyti, të jenë njerëz që nuk kanë qenë të përfshirë në asnjë aferë me prapavi kriminale, duke marrë parasysh se sfida jonë më e rëndësishme në vitet në vazhdim do të jetë sundimi i ligjit, dhe i fundit, por jo më pak i rëndësishëm, jo vetëm eshaloni i parë i funksionerëve, por edhe i dyti dhe i treti, të mund të marrin certifikatë sigurie nga NATO sepse si vend anëtar vetëm kështu do të na pranojnë neve si një partner të besueshëm të Aleancës.

NATO kërkon që funksionarët e lartë shtetëror të jetë të pajisur me certifikata sigurie, që dëshmojnë se ata nuk janë të implikuar në raste të dyshimta dhe që cënojnë interesat shtetërore dhe të Aleancës.