Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, realizoi takim me eurodeputetët, anëtarët e Komitetit të Përzier Parlamentar – Kuvendi i Republikës së Maqedonisë së Veriut – BE, të cilët marrin pjesë në Takimin e 19. të këtij trupi të përbashkët punues për dialog parlamentar ndërmjet deputetëve të Kuvendit dhe Parlamentit Evropian, njoftojnë nga kabineti i Xhaferit.
Në takim ishin të pranishme edhe Sonja Mirakovska, në cilësinë e bashkëkryesueses së Komitetit të Përzier Parlamentar dhe Cvetanka Ivanova, sekretarja e përgjithshme e Kuvendit.
“Kryetari Xhaferi shprehu mirënjohje ndaj Parlamentit Evropian që në vazhdimësi tregon vullnet të qartë politik dhe përkushtim për ardhmërinë evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe shprehu shpresë se Takimi i 19. i Komitetit të Përzier Parlamentar do të jetë një mundësi e
shkëlqyer që deputetët e të dyja palëve të këmbejnë opinione për aspektet më të rëndësishme të marrëdhënieve të ndërsjella dhe në këtë mënyrë të kontribuojnë në përforcimin e partneritetit të ndërsjellë. Në raport me eurointegrimin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, theksoi se edhe pse vendi i përmbushi kushtet dhe kjo ishte konfirmuar me vendimin e Këshillit Evropian prej më 21 mars 2020 për fillim të pakushtëzuar të negociatave të anëtarësimit, Kjo nuk ndodhi për shkak të vetos së Bullgarisë.
Megjithatë, shprehu shpresë se nga ajo që është në tavolinë, do të mund të arrihet marrëveshje, me ç’rast, çështjet bilaterale të zgjidhen në mënyrë bilaterale. Duke potencuar se Bashkimi Evropian bazohet në respektimin të gjithëve, sugjeroi se zgjidhja do të duhet të kërkohet në atë drejtim”, thuhet në njoftim.
Kryetari Xhaferi rikujtoi se vendi e harmonizoi në tërësi legjislacionin e vet të politikës së jashtme dhe të sigurisë me atë të Unionit dhe arriti shkallë të lartë të harmonizimit të legjislacionit me atë evropian, por edhe se për shkak të prolongimit të fillimit të negociatave, mbështetja e opinionit zvogëlohet në mënyrë të konsiderueshme
Comments are closed for this post.