Ushtria gjermane ka dërguar mbi 20 mjekë e infermierë bashkë me ventilatorë e shtretër për spitale në Portugali, ku është shënuar rritje e madhe e rasteve me Covid-19, duke nxitur disa shtete evropiane që të ofrojnë ndihmë.
“Misioni është i nevojshëm, sepse tash për tash është një gjendje jashtëzakonisht e vështirë në Portugali dhe sepse ne duhet të dëshmojmë këtu, brenda kornizës së solidaritetit evropian, që shtetet mund t’i tejkalojnë këto sfida të mëdha vetëm së bashku”, tha mjeku i ushtrisë gjermane, Ulrich Baumgaertner.
Nga Gjermania për në Portugali u nis një aeroplan transportues ushtarak me 26 mjekë, infermierë dhe ekspertë të higjienës si dhe 40 ventilatorë mobilë e 10 ventilatorë të palëvizshëm, shkruan The Guardian, transmeton Gazeta Express.
Ushtria gjermane do të dërgojë në Portugali edhe 150 shtretër për pacientë dhe synon që fillimisht të qëndrojë në shtetin e Evropës Jugperëndimore për tri javë.
Ambasadori i Portugalisë në Gjermani, Francisco Ribeiro de Menezes, e falënderoi qeverinë gjermane për përkrahjen ushtarake dhe mjekësore.
“Puna e tyre do të jetë shumë e mirëpritur në Portugali dhe ne do të jemi gjithmonë mirënjohës për këtë asistencë”, tha ai.
Comments are closed for this post.