Kryediplomatja boshnjake, Bisera Turković sot në Shkup tha se Bosnja e Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut duhet të përforcojnë bashkëpunimin ekonomik mes vete. Turković tha se mungon edhe një linjë aviacioni Shkup-Sarajevë.

“Kemi një varg marrëveshjes bilaterale, marrëveshje bashkëpunimi por na mungon fluturimi Sarajevë-Shkup. Duhet të dy palët të investojnë në këtë drejtim dhe rezultati do të jetë edhe më i mirë edhe në aspektin ekonomik mes dy vendeve. Do të ishte mirë që sa më shpejt të nënshkruajmë edhe marrëveshje ndërshtetërore për bashkëpunim ekonomik, për të cilën edhe sot folëm”, tha mes tjerash Turković.

Ndërsa ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani tha se Maqedonia e Veriut mbështet integritetin territorial të Bosnje dhe Hercegovinës. Osmani tha se dy vendet në maj të këtij viti shënojnë 30 vjet bashkëpunim bilateral.

“Dua që në fillim të them se Maqedonia e Veriut fuqishëm e mbështet integritetin dhe sovranitetin territorial të Bosnje Hercegovinës dhe perspektiven euroatlantike të BeH duke i dënuar të gjitha tendencat ndarëse në BeH”, tha mes tjerash Osmani.