Me disa orë vonesë, autoritetet izraelite liruan një grup prej 30 të burgosurish palestinezë, njoftoi shërbimi i burgjeve izraelite. Ministria e Punëve të Jashtme e Katarit njoftoi të mërkurën se 16 të mitur dhe 14 gra ishin në mesin e palestinezëve të liruar nga një burg izraelit.
Palestinezët që u liruan nga burgu i Oferit u transportuan me disa automjete të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq. Ushtarët izraelitë ndërhynë me automjete ushtarake të blinduar kundër palestinezëve kryesisht të rinj që prisnin në Bethunia, një qytet palestinez në rrugën drejt burgut Ofer dhe Ramallah, ndërsa pos kësaj ushtria izraelite hodhi edhe gaz lotsjellës dhe granata trullosëse ndaj palestinezëve në rajon.
Sipas Gjysmëhënës së Kuqe Palestineze, 5 palestinezë u plagosën, njëri prej tyre në gjendje të rëndë, kur ushtarët izraelitë hapën zjarr ndaj palestinezëve.
Nga ana tjetër, ushtria izraelite më herët njoftoi se dhjetë të burgosur izraelitë të mbajtur nga Hamasi në Rripin e Gazës iu dorëzuan stafit të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.
Në një deklaratë të zëdhënësit të ushtrisë izraelite, thuhet se zyrtarët e Kryqit të Kuq konfirmuan se dhjetë gra dhe fëmijë izraelitë të mbajtur nga Hamasi në Rripin e Gazës, si dhe katër shtetas tajlandezë i janë dorëzuar kolonës së tyre.
Ministria e Punëve të Jashtme e Katarit njoftoi se në mesin e pengjeve izraelitë të liruar ishin pesë të mitur dhe pesë gra, duke përfshirë një të mitur nga Holanda, tre gjermanë dhe një grua amerikane.
Izraeli filloi një fushatë të madhe ushtarake në Rripin e Gazës pas një sulmi ndërkufitar nga grupi palestinez Hamas më 7 tetor.
Që atëherë ka vrarë më shumë se 15.000 njerëz, duke përfshirë 6.150 fëmijë dhe 4.000 gra, sipas autoriteteve shëndetësore në enklavë, ndërsa numri zyrtar i të vdekurve në Izrael është 1.200.
Një pauzë humanitare katërditore e ndërmjetësuar nga Katari hyri në fuqi të premten që ndaloi përkohësisht sulmet izraelite në Gaza dhe përfshinte lirimin e izraelitëve nga Hamasi në këmbim të lirimit të palestinezëve nga burgjet izraelite.
Të hënën vonë, Katari njoftoi një marrëveshje për të zgjatur pushimin fillestar katërditor me dy ditë të tjera.
Comments are closed for this post.