Qytetarët të mos shqetësohen për gjendjen e sigurisë në Maqedoni, MPB-ja dhe institucionet tjera do të përgjigjen në mënyrë të duhur në kuadër të kompetencave ligjore, tha mbrëmë ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, në lidhje me deklaratat e kryeministrit Hristijan Mickoski se kryesia e Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) planifikon që në vjeshtë të ndërmarrë hapa që kanë për qëllim destabilizimin e shtetit.

Toshkovski për “Kanal5” tha se është e vërtetë se ka informacione në këtë drejtim dhe theksoi se qytetarët duhet të jenë të informuar me të gjitha faktet që janë në interes të opinioninit publik.

“Është e vërtetë që ka informacione që janë në drejtim të asaj që thotë kryeministri dhe mendoj se publiku duhet të njihet me të gjitha faktet që janë në interes të opinionit publik dhe kjo është sigurisht në interes të opinionit. E thënë thjesht, është fakt se dikush që ka 20 vite në pushtet e ka të vështirë të pranojë të jetë në opozitë”, theksoi Toshkovski.

Është normale të ketë reagime, theksoi ministri, por, thotë ai, nëse ato janë në kuadrin e mekanizmave demokratikë, duke theksuar të drejtën e protestës.

I pyetur nëse kanë biseduar me partnerin e koalicionit “VLEN” për të dhëna të tilla për BDI-në opozitare, Toshkovski thotë se qëllimi i kësaj qeverie është krijimi i sistemit, sepse, siç tha ai, sistemi është shkatërruar.

Mickoski këtyre ditëve deklaroi se BDI-ja e kërcënon imazhin ndëretnik të vendit dhe paraqet kërcënim për paqen dhe stabilitetin e Maqedonisë si shtet. Thelbi i lëvizjeve të tilla, thotë kryeministri, është mbrojtja e kapitalit të fituar në 20 vitet e fundit në pushtet, por siç tha ai, nuk përjashtohet mundësia që disa grupe të manipulohen pa dashje dhe të sfidojnë integritetin dhe sovranitetin territorial.