Atentatori i Vjenës vrau me një armë nga Serbia, shkruan gazeta gjermane “Süddeutsche Zeitung”. Armët serbe janë të pëlqyera nga terroristët islamistë. “Zastava M70” është përdorur nga fanatikët fetarë edhe gjatë sulmeve në Francë në vitin 2015.
Sipas gazetës gjermane “Süddeutsche Zeitung” atentatori i Vjenës Kujtim F. ishte i pajisur me një “kallashnikov ballkanik” kur kreu sulmin. Ai vrau me “një Zastava M70 nga Serbia”, nënvizon gazeta e Münchenit. Gjatë verës Kujtim F., bashkë me disa persona të tjerë, shkoi në Sllovaki për të blerë municion për këtë armë. Atje nuk i dhanë municion sepse nuk kishte leje për armëmbajtje.

Policia sllovake alarmoi kolegët austriakë. Por austriakët në vend se të veprojnë, vazhduan gjumin, ndonëse e dinin se Kujtim F. ishte i dënuar më herët dhe ishte i rrezikshëm si fanatik pseudofetar. Prokuroria e Vjenës u njoftua se Kujtim F. kishte dashur të blejë municion në Sllovaki tek atë natë kur ai kishte filluar sulmin në Vjenë. Ministri i Brendshëm austriak pranoi se ka pasur “gabime komunikimi” me palën sllovake, në të vërtetë formulimi i saktë do të ishte: autoritetet austriake në këtë rast kanë dështuar nga A deri në ZH. Ministri Karl Nehammer tha po ashtu se shërbimi sekret sllovak ka njoftuar shërbimin sekret austriak, por pastaj “diçka kishte dështuar”.

Armët e prodhimit serb janë përdorur edhe me rastin e sulmeve terroriste në Francë në vitin 2015, mes tjerash kundër teatrit Bataclan dhe kundër revistës “Charlie Hebdo”. Bëhet fjalë për prodhime të fabrikës së armëve në Kragujevc të Serbisë. Në këtë fabrikë u prodhuan edhe granatat e dorës, të cilat u përdorën më 1914 nga terroristët serbë në atentatin kundër pretendentit të fronit austro-hungarez, Franc Ferdinand.

Në nëntor 2015 policia gjermane ndali veturën e një shtetasi malazez, i cili ishte duke shkuar në Paris. Në veturë kishte disa kallashnikovë, granata dore dhe eksploziv. Disa muaj më herët, sipas mediave gjermane, policia suedeze kishte arrestuar një mysliman nga Bosnja, në veturën e të cilit gjendeshin dhjetë granata dore, katër pistoleta automatike dhe armë të tjera./KOHA.net/