Sllovenia mbetet mbështetëse e fuqishme e Maqedonisë në rrugën e saj të integrimeve evropiane, theksoi në konferencën e sotme të përbashkët për shtyp kryetarja e Kuvendit të Republikës së Sllovenisë, Urshka Klakoçar Zupançiç pas takimit me kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë, Afrim Gashi.

“Dëshiroj të theksoj se Sllovenia është një mbështetëse e vazhdueshme dhe e përkushtuar e Maqedonisë së Veriut në rrugën e saj drejt BE-së dhe do të vazhdojë të ofrojë përvojat dhe mbështetjen e saj. Jam e bindur se gjithmonë pozitiv për zgjerimin e rajonit do të jetë edhe fakti që komisionerja e re për zgjerim është një sllovene, znj. Marta Kos. Parlamenti i Republikës së Sllovenisë është gjithmonë i gatshëm të shkëmbejë përvoja dhe vlera në nivel të parlamenteve dhe shërbimeve të ekspertëve dhe deputetëve, të cilat kontribuojnë në funksionimin më efikas të Kuvendit të Maqedonisë gjatë periudhës së hyrjes në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Mezi pres kohën dhe ditën kur mund ta mirëpresim Maqedoninë e si anëtare të barabartë të BE-së”, tha ajo.

Klakoçar Zupançiç theksoi se ajo personalisht beson se hyrja e vendeve të Ballkanit Perëndimor në BE duhet të ndodhë sa më parë.

“Personalisht, mendoj se nuk duhet të jetë aq larg, sepse hyrja e vendeve të Ballkanit Perëndimor nuk duhet të jetë më çështje nëse, apo kur. Duhet të ndodhë shpejt. Uroj që vendimet dhe zgjidhjet të vijnë sa më shpejt për Republikën e Maqedonisë, sepse në Slloveni jemi të vetëdijshëm se jemi të lidhur me një zemër të përbashkët dhe mirëkuptim të ndërsjellë, mbi të gjitha nga një histori e ngjashme, një zonë e ngjashme, një popullsi e ngjashme, një luftë e ngjashme për njerëzit, identitetin dhe gjuhën. Dhe është koha që ju të bashkoheni me ne në integrimin evropian, tha ajo.

Klakoçar Zupançiç theksoi se me Gashin janë dakorduar në vlerësimin se bashkëpunimi i deritanishëm parlamentar është shkëlqyer dhe theksoi se me këtë vizitë vazhdohet ai bashkëpunim i suksesshëm.

-Në delegacionin tim është edhe kryetarja e grupit të miqve, Sandra Gazenkoski, kështu që vizita është mundësi për kontakte ndërmjet grupeve të miqësisë, që për ne do të thotë shumë. Shpresoj se kjo vizitë do të jetë një nxitje shtesë për bashkëpunim në trupat punues që Kuvendi ynë dëshiron t’i forcojë. Ne e plotësojmë me sukses bashkëpunimin ndërmjet parlamenteve me asambletë dhe forumet parlamentare rajonale. Më në fund, në fund të kësaj jave, Kuvendi ishte nikoqir i Komitetit, ndërsa mbledhja vjetore do të jetë në Slloveni dhe besoj se delegacioni i Maqedonisë do të jetë pjesëmarrës në përbërje të plotë në atë takim”, tha ajo.

Klakoçar Zupançiq theksoi se në takimin me presidentin Gashi u konfirmuan marrëdhëniet e shkëlqyera ndërmjet vendeve tona, të cilat shënohen në radhë të parë me miqësi dhe solidaritet të ndërsjellë.

“Vendet janë partnerë shumë të ngushtë dhe bashkëpunimi bazohet në vlera të përbashkëta dhe partneritet të ndërsjellë. Sllovenia ka qenë dhe mbetet një mbështetëse e fortë e Maqedonisë në rrugën e saj euroatlantike dhe inkurajon iniciativat për të realizuar një zonë të përshtatshme ekonomike, një kornizë legjislative të përshtatshme dhe të drejtë, pasi këto janë dy elementë kyç të bashkëpunimit tonë. Jam e bindur se kjo tashmë do të theksohet në takimet tona si pjesë e programit të kësaj vizite. Besoj se do të gjejmë mundësi shtesë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve, tha Klakoçar Zupançiç.

Kryetarja e Kuvendit Republikës së Sllovenisë theksoi se është përkrahëse e rëndësisë gjithnjë në rritje të demokracisë parlamentare dhe është e bindur se takimet e rregullta ndërmjet parlamenteve inkurajojnë dhe zhvillojnë marrëdhëniet.

Gashi ka falënderuar Slloveninë, e cila, siç tha, është mbështetëse e palëkundur e aspiratave tona për integrim në BE.

“Kontributi politik (si procesi Bërdo-Brioni dhe “non-paper” i vitit 2023), si dhe mbështetja teknike e Sllovenisë në forcimin e kapaciteteve administrative për harmonizimin e legjislacionit tonë me atë të BE-së, konfirmuan bashkëpunimin e suksesshëm ndërmjet institucioneve tona dhe gatishmërinë e sinqertë të Sllovenisë për zgjerimin e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor”, tha Gashi, duke theksuar se ky moment paraqet një hap të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve tona ndërparlamentare dhe thellimin e marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve tona.

Kryeparlamentari theksoi se si dy vende të përkushtuara ndaj vlerave të paqes, sigurisë dhe demokracisë, angazhimi i përbashkët brenda NATO-s dhe organizatave ndërkombëtare e bën këtë partneritet edhe më të besueshëm. Sipas Gashit, në takim është konstatuar se zgjerimi i BE-së, në një kohë kur përkushtimi dhe fokusi i misioneve tona janë drejt Ukrainës, paraqet jo vetëm qëllim strategjik, por edhe interes gjeopolitik.

Edhe Gashi theksoi se në takim u konfirmuan marrëdhëniet bilaterale ndërmjet Republikës së Maqedonisë dhe Sllovenisë, të cilat, siç tha ai, kanë qenë gjithmonë të forta, të karakterizuara me miqësi të sinqertë, bashkëpunim shumëdimensional, mbështetje të parezervë dhe përkushtim të vazhdueshëm për forcimin e lidhjeve mes qytetarëve tanë.

Siç tha Gashi, në takim nga aspekti ekonomi u shqyrtuan edhe mundësitë e reja për bashkëpunim dhe investime nga aspekti ekonomik, duke theksuar rëndësinë e Sllovenisë si një ndër investitorët më të mëdhenj në vendin tonë. Në takim u diskutua edhe për fusha të tjera që përfshijnë projekte aktuale dhe potenciale në arsim, shëndetësi, kulturë dhe dixhitalizim, si dhe theksuam shkëmbimin e studentëve si një nga praktikat më të mira që ka ndihmuar në zhvillimin e stafit dhe të vendit. Ne iu referuam, tha Gashi, edhe rolit të diasporës sonë në Slloveni, e cila paraqet një urë lidhjeje dhe një bazë e shkëlqyer për arritjen e qëllimeve tona të përbashkëta.

Kryetarja e Kuvendit të Repiblikës së Sllovenisë në fjalimin e saj shprehi ngushëllime të sinqerta për tragjedinë e Koçanit që ndodhi më 16 mars.

“Njoftimi për zjarrin shkatërrues që shkatërroi shumë jetë të të rinjve që sapo ishin nisur për udhëtimet e tyre na tronditi shumë. Kjo është mbi të gjitha përvoj e hidhur që ka sjellë shumë trishtim jo vetëm te familjarët dhe miqtë e viktimave, por edhe te gjithë shoqëria, gjithë vendi. Prandaj, besoj se me forcë të brendshme dhe solidaritet dhe mbi të gjitha me mbështetje reciproke do të arrini t’i kaloni këto kohë të vështira dhe le të jetë mbështetje fakti që e dini se nuk jeni vetëm në dhimbjen tuaj”, tha Klakoçar Zupançiç.

Në fund, Gashi ka falënderuar Zupançiçin dhe shtetin e Sllovenisë për ndihmën e madhe që na kanë dhënë pas tragjedisë së Koçanit.

“Pas kësaj vizite, mund të them me besim se Maqedonia e Veriut mund të llogarisë në Slloveninë, jo vetëm si aleate e NATO-s dhe përkrahëse e integrimit, por edhe si një mik i vërtetë që ndërton marrëdhënie të bazuara në respekt, mirëkuptim dhe solidaritet”, tha Gashi.