Kryeministri i Izraelit, Naftali Bennett, i tha kabinetit qeveritar se Teherani dhe grupi militant pro-iranian, Hezbollah, po bëjnë përpjekje që ta përfshijnë Libanin “në një front kundër Izraelit”.
Megjithatë, ai tha se Libani dhe ushtria e tij duhet të marrin përgjegjësinë për raketat e lëshuara nga territori i këtij vendi në drejtim të Izraelit.
“Edhe gjatë kësaj krize të rëndë ekonomike dhe politike në Liban, Irani dhe Hezbollahu po mundohen t’i fusin në kurth qytetarët e Libanit në një front kundër Izraelit”, tha Bennett para takimit të kabinetit.
Gjatë javës së kaluar është përshkallëzuar dhuna mes Izraelit dhe Hezbollahut.
Avionët luftarakë izraelitë goditën caqe në Libanin jugor më 4-5 gusht pas sulmeve me raketa nga territori libanez. Ky ishte bombardimi i parë ajror izraelit në Liban që nga viti 2006.
Hezbollahu mori përgjegjësinë për lëshimin e raketave duke thënë se sulmi ishte në përgjigje ndaj sulmeve ajrore nga Izraeli. Udhëheqësi i Hezbollahut ka kërcënuar se do të hakmerret kundër çdo sulmi ajror izraelit në Liban.
Izraeli dhe Hezbollahu zhvilluan një luftë njëmujore më 2006. Izraeli ka thënë se Hezbollahu posedon më shumë se 130.000 raketa të afta për të goditur.
Hezbollahu konsiderohet grup terrorist nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Izraeli, Arabia Saudite dhe disa vende tjera të Bashkimit Evropian.
Grupi militant u themelua në vitet 1980 për të luftuar pushtimin e Libanit jugor nga ana e Izraelit.
Ky grup gëzon mbështetjen e Iranit dhe ka shtrirë aktivitetin e tij në Siri, Irak dhe Jemen. Hezbollahu tani ka një arsenal më të fuqishëm se ushtria kombëtare libaneze.
Comments are closed for this post.