Gjashtë persona mbetën të plagosur në Annecy, Francën juglindore nga një sulm me thikë, mes tyre katër fëmijë. Sipas mediave të huaja, të gjithë të lënduarit u dërguan në spital. Një azilkërkues sirian dyshohet se kreu sulmin, por motivi i tij është i paqartë, tha prokurori Bonnet-Mathis, ndërsa shtoi se nuk ka asnjë motiv terrorist.

Zyrtarët lokalë raportuan më herët se i dyshuari në lidhje me sulmin u arrestua. Ai mbeti i plagosur lehtë, por nuk ka pati nevojë për trajtim spitalor. Katër fëmijët e lënduar në sulm janë të moshës nga 22 muaj deri në 3 vjeç, tha në një konferencë për shtyp prokurori Bonnet-Mathis, i cili theksoi se fëmijët janë në gjendje kritike.

Një nga katër fëmijët e lënduar është shtetas britanik, tha Sekretari i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, James Cleverly në një fjalim në Organizatën për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (OECD) në Paris.

Presidenti francez Emmanuel Macron tha se “kombi është në tronditje”, pas sulmit. “Mendimet tona janë me ta, familjet e tyre dhe shërbimet e urgjencës”, shkroi Macron në Twitter.

Kryeministri britanik, Rishi Sunak u shpreh se mendimet e tij janë me të gjithë të prekurit nga sulmi. Ministri i Shëndetësisë, François Braun shkroi në Twitter se lutjet e tij janë me viktimat e sulmit me thikë.

Ligjvënësit në Asamblenë Kombëtare Franceze mbajtën një minutë heshtje për të plagosurit në sulm.