Brazili ka bërë një paraqitje spektakolare në fitoren prej 2-0 në ndeshjen e parë të fazës grupore në Kampionatin Botëror, ‘Katar 2022’.

Një paraqitje dominuese e Selecaos në fraksionin e parë të lojës, në të cilin megjithatë nuk arriti të shënonte.

Raphinha pati ndër rastet më të mira të pjesës së parë, por skuadra jugamerikane nuk e gjeti golin dhe shkoi në pushim pa realizuar.

Gjithçka ndryshoi në gjysmën e dytë të takimit, në të cilin brazilianët dhuruan spektakël dhe gola.

Në ndeshjen e vlefshme për Grupin G, futbollistët e Brazilit i shënuan dy gola në portën e përfaqësueses serbe.

(Foto: Screenshot/Twitter)

Vinicius Junior godit drejt portës, ndërsa topi i kthyer shkoi te Richarlison, i cili e zhbllokoi rezultatin me një gol të merituar (62’).

Sërish i asistuar nga Vini Jr, Richarlison tregoi një teknikë të jashtëzakonshme dhe në mënyrë akrobatike e shënoi golin më të bukur deri më tani në këtë turne (73’).

Të pandalshme ishin sulmet braziliane në minutat në vazhdim, ndërsa rast pas rasti, Casemiro e goditi shtyllën.

Brazili ka tri pikë në Grupin G aq sa ka edhe Zvicra, pas ndeshjeve të para në fazën grupore të Kampionatit Botëror