Për Ministrin e Punëve të Brendshme Oliver Spasovski, ligji për shtetësinë i propozuar në Kuvend nga koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa, është i pakuptueshëm se çfarë dëshiron të arrijë.
“Sjella e zgjidhjeve të këtilla, si të them, para së gjithash janë pamflete politike. Nga vetë teksti i ligjit që do ta shihni, nuk do të kuptoni se çfarë duan ata që e kanë propozuar. Mendoj se nuk kemi zgjidhje të përhershme. Ne na duhet zgjidhje e përhershme, mbrojtje e interesave shtetërore e nacionale dhe mbrojtje e qytetarëve që janë këtu dhe duhet ta marrin shtetësinë”, tha Oliver Spasovski – Ministër i Punëve të Brendshme.
Mendimi i MPB-së që ditë më parë u dorëzuar në Qeveri, sipas Spasovskit, për bazë ka interesin shtetëror. Ndërkaq Koalicioni Alaenca-Alternativa, ditë më parë pyeti ministrin e policisë se kush i kërkoi atij mendim për propozim ndryshimet e ligjit për shtetësi.
“Pse na qenka kaq urgjente kjo çështje që sipas jush dhe qeverisë, saqë s`ju ka penguar që të nënshkruani një dokument, që në thelb është me përmbajtje shovene dhe të orientuar kundër një pjese të qytetarëve të RMV-së, njësoj siç është edhe ligji ekzistues për shtetësinë”, potencoi Flakron Bexheti nga Aleanca për Shqiptarët.
TV21 këtë pyetje ja parashtroi Ministrit, i cili sqaron:
“Për të gjithë zgjidhjet ligjore që propozohen nga ana e deputetëve, që është e garantuar me Kushtetutë, kërkohet mendim nga institucionet adekuate që janë bartës të zgjidhjeve të këtilla ligjore, mendim që vërtetohet në Qeveri e RMV-së”, u shpreh Oliver Spasovski – Ministër i Punëve të Brendshme.
Neni 138 i Rregullores së Kuvendit thotë se “Propozim-ligjin të cilin nuk e ka paraqitur Qeveria, Kryetari i Kuvendit do t’ia dërgojë Qeverisë për të dhënë mendim”. E me mendimin e Ministrit Spasovski, duket se pajtohet edhe zëvendësi i tij, Bushi.
TV21: A pajtohej z.Bushi, zëvendësi juaj, me këtë mendim?
Oliver Spasovski: “Ai është mendim i Ministrisë për Punë të Brendshme dhe mendoj se është krejt e qartë…”.
TV21: Pajtohej apo jo?
Oliver Spasovski: “Nëse është qëndrim i Ministrisë së Brendshme, është qëndrim i të gjithëve në hierarkinë këtu”.
Koordinatori i grupit parlamentar të Koalicionit ASH-AAA, Skender Rexhepi, për TV21 tha dje se për ta mendimi i MPB-së është jorelevant, andaj çdo debat mbi propozimin e tyre pranojnë ta bëjnë vetën në Kuvend.
TV21: Përmendët mentalitet shovinist. LSDM ka 4 vite që drejton me pushtetin, përfshirë MPB-në, mendoni se akoma është ky mentalitet?
Skender Rexhepi: “Nëse këmbëngulin në këtë qëndrim edhe në kuadër të bisedimeve brenda grupeve parlamentare, për fat të keq do të duhet ta konstatojmë se vazhdon e njëjta mendësi që ka qenë 2 dekada e gjysmë më herët”.
Nëse LSDM në Kuvend ka të njëjtat qëndrime si MPB-ja, Rexhepi tha se janë të gatshëm për t’u ulur dhe diskutuart për gjetjen e një zgjidhjeje të përbashkët, duke i pranuar si kërkesa politike e jo të Ministrisë.
Comments are closed for this post.