Bujqit grek nga pjesa veriore dhe veriperëndimore e Greqisë, sot, për disa orë do t’i mbyllin pika kufitare Evzoni (Bogorodicë) dhe Niki (Mexhitlia) drejt Maqedonisë, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Athina.
Në Evzoni do të mbahet tubim bujqësor, i cili do të fillojë rreth orës 13-13:30 me orën greke, gjegjësisht 12-12:30 me orën e Maqedonisë dhe gjatë periudhës së protestës pritet të bllokohet qarkullimi në pikën kufitare për disa orë.
Vendkalimi kufitar Niki, sipas mediave vendase, do të jetë i mbyllur nga ora 12:00 deri në 16:00 me orën greke, përkatësisht nga ora 11:00 deri në 15:00 me orën e Maqedonisë.
Shkak për aktivitetet e intensifikuara të bujqve sot në Greqi është takimi në Bruksel i ministrave të bujqësisë të Bashkimit Evropian, ku do të diskutohet për politikën e re të përbashkët bujqësore.
Ditët e kaluara, pas protestës së madhe të së martës në Athinë, kur bujqit vendosën që çdo bllok të përcaktonte veçmas hapat e tij, ata nga Greqia veriore mbeten më aktivë dhe të përditshëm midis orës 20 dhe 22:00 me orën lokale, pra midis 19 dhe 21 pasdite me orën e Maqedonisë, në mënyrë periodike mbyllin pikën kufitare Evzoni (Bogorodicë), siç ishte edhe dje.
Kryetari i shoqatës bujqësore nga zona e Peonisë, Tomas Karipidis, i cili udhëheq edhe aktivitetet në pikën kufitare, dje në një bisedë me korrespondenten e MIA-s nga Athina tha se në Evzoni janë parkuar rreth 100 traktorë dhe pesë kombajna, shpjegoi se për sot është planifikuar “një tubim i madh bujqësor në pikën kufitare”, i cili sipas tij do të fillojë rreth orës 13:30 dhe do të përfundojë varësisht se sa fjalime do të ketë, “por me siguri do të zgjasë dy ose tre orë”.
“Sigurisht që pika kufitare do të mbyllet, do të ketë shumë njerëz, do të ketë shumë pjesëmarrje me automjete bujqësore”, tha Karipidis, duke sqaruar se bllokada do të zgjasë deri në përfundim të protestës.
Bujqit janë aktivë në të gjithë Greqinë prej më shumë se një muaj dhe kërkojnë nga qeveria që të plotësojë të gjitha kërkesat e tyre lidhur me rritjen e kostove të prodhimit, por edhe pse në takimin me kryeministrin grek Kirjakos Micotakis para dy javësh u njoftuan masa shtesë ata shprehën pakënaqësi dhe vazhduan me aktivitetet, të cilat kulmuan me protestën e madhe në Athinë.
“Kërkesat tona janë të njohura, energjia, kostot e prodhimit, kostot e furnizimit dhe gjithçka që prek çdo rajon individualisht, kërkesa për të cilat nuk kemi marrë përgjigje detyruese që do të plotësohen në të ardhmen e afërt. Dhe për këtë ne qëndrojmë në blloqet tona, pa bërë asnjë hap drejt koncesionit, tha dje për MIA-n, kryetari i shoqatës bujqësore nga zona e Peonisë, Tomas Karipidis.
Comments are closed for this post.