Sindroma i braktisjes prek jo vetëm fëmijët, por edhe shumë të rritur. Shkaqet duhen gjetur në vitet e para të jetës, kur ndodh diçka që fëmija e përjeton si traumatike dhe që e bën të vihet  në gatishmëri për mundësinë e riperjetimit të së njëjtës braktisje. Ka lindur në fëmijëri, por në nivele të ndryshme mund të ndikojë jetën edhe si të rritur.

Sindroma e braktisjes dhe atashimi i pasigurt
“Nga pikëpamja psikologjike quhet “lidhje e pasigurt”. Fëmijët shumë të vegjël kanë nevojë për figura të atashimit që kanë karakteristikën e të qenit, të të qenit aty. Kjo figurë është personi që i përgjigjet nevojave parësore të foshnjës: të hajë, të pijë, të jetë i pastër dhe të marrë një përgjigje ndaj frikës. Fëmija, në fakt, ka frikë nga zbrazëtia, mungesa, errësira. Figura e lidhjes duhet ta forcojë fëmijën në një fazë të hershme të jetës. Në moshën 3-vjeçare fëmija i lënë në kopesht qan se ka frikë se mos nuk shkon nëna ta marrë. Kjo ndodh sepse ai ende nuk e ka introjektuar figurën e prindit. Më vonë ai do të njohë figurën e babait dhe nënës dhe do të ndalojë së qari sepse do të ketë kuptuar që prindi ose figura referuese do të kthehen gjithmonë për të”, shpjegon Dr. Marinella Cozzolino, psikoterapiste.

Prindërit: gënjeshtrat që duhen shmangur
“Nuk duam të fajësojmë prindërit por ka zakone të tmerrshme që përdoren për të mbrojtur fëmijët, por që duhen shmangur absolutisht. Para së gjithash gënjeshtrat. Sa shpesh prindërit thonë: “Do të shkoj në banjë për një moment”, por në të vërtetë ata shkojnë në punë. Ose kur i vënë fëmijët në gjumë dhe më pas dalin jashtë. Në momentin që fëmijët zgjohen dhe nuk mund të gjejnë mamin dhe babin, ata do të kenë vështirësi për të fjetur. Në shumë raste kjo vështirësi do t’i shoqërojë edhe si të rritur, duke manifestuar çrregullime të gjumit. Në të dyja rastet për shembull, fëmija nuk e di nëse duhet të besojë apo jo. Ai gjithmonë pyet nëse figura e referencës do të jetë aty, nëse do të kthehet. Një ankth, ose frika nga diçka që mund të ndodhë, kur nuk e gjen prindin, bëhet frikë, një gjë e vërtetë. Dhe kjo, për fat të keq, krijon dëme të pabesueshme. Kjo është arsyeja pse çdo gjë duhet t’u tregohet gjithmonë fëmijëve”, thekson ekspertja.

Sindroma e braktisjes: e mira dhe e keqja
“Frika e braktisjes, nëse kthehet në normalitet, është një frikë shpëtimtare, jo domosdoshmërisht negative. Si në marrëdhëniet e dashurisë, ashtu edhe në marrëdhëniet nënë-fëmijë. Në çift duhet të kemi frikë se tjetri mund të largohet për të mos e marrë si të mirëqenë. Partneri nuk është si një divan apo një mobilie që, pasi të blihet, mbetet aty në dispozicion. Unë shoh shumë njerëz që e marrin tjetrin si të mirëqenë. Në disa marrëdhënie kjo është më e rrezikshme se frika e braktisjes. Frika se tjetri mund të largohet mund të jetë një motor që ne të japim më të mirën tonë në marrëdhënie. Për sa kohë që nuk bëhet problematik dhe nuk na kthehet ne kahun e kundert.

Kur është patologjike dhe si ta kapërcejmë
“Frika nga braktisja është kufizuese kur është simptomë e varësisë emocionale. Nëse varem plotësisht nga tjetri dhe ky i fundit largohet, do të më merrte me vete një pjesë e rëndësishme. Kjo ndodh kur identiteti im është plotësisht i strukturuar nga tjetri, pra pa të jam askushi, jam vetëm në marrëdhënie me tjetrin. Para së gjithash, ne duhet të kuptojmë nëse jemi në të vërtetë në një situatë frike nga braktisja patologjike dhe për rrjedhojë kufizuese. Pastaj bëni një analizë të qartë të historisë sonë: “Sa kam investuar? Pse kam kaq frikë se mos e humb? Çfarë ndodh po iku?”. Duke u larguar, partneri im vjedh planifikimin tim, idenë që kisha për të ardhmen time. Por si e ardhme ende nuk është realizuar. Thjesht është duke më vjedhur një ëndërr. Nëse nuk realizohet sepse tjetri më braktis, mund të ndihesha edhe me fat: nuk ishte personi i duhur për ta realizuar”, nënvizon ekspertja.