Akoma është e paqartë nëse sot do të fillojë Regjistrimi i popullsisë, banesave dhe ekonomive familjare 2021, ose Kuvendi në momentin e fundit do të sjellë vendim për shtyrjen e tij për në muajin shtator, që ishte marrëveshje në mes Zoran Zaevit dhe Hristijan Mickoskit.

Nga Enti Shtetëror i Statistikave, i cili është përgjegjës për zbatimin e regjistrimit, thonë se nuk kanë koment nëse duhet të mbahet ose shtyhet regjistrimi, derisa nuk përfundojnë procedurat në Kuvend.

Ministri i Drejtësisë Bojan Mariçiq, thotë se sipas ligjit ekzistues, regjistrimi duhet të fillojë sot dhe nëse regjistruesit dalin në terren dhe mbledhin të dhëna, ato do të merren parasysh.

“Kjo është çështje e Entit Shtetëror për Statistika dhe nëse e zbatojnë ligjin, sot duhet të fillojnë me aktivitetet e tyre. Cilët do të jenë aktivitetet e tyre në praktikë, do të jetë vlerësim i tyre. Pra, nëse ata dalin dhe mbledhin të dhëna, të njëjtat do të vlejnë sikur ato të diasporës deri tani”, tha Mariçiq.

Ai shtoi se nëse sot ligji vendoset në rend dite, mund të miratohet në afat sa më të shkurt të jetë e mundur, pasi është propozuar me procedurë të shkurtë dhe flamur evropian, që do të thotë se më shumë se dy ose tre ditë, nuk mund të zgjasë procedura për miratimin e tij.

Kryetari i Kuvendit Talat Xhaferi, mbrëmë informoi se nuk ka kushte të mbahet seancë për shtyrjen e regjistrimit, pasi opozita shqiptare ka kundërshtuar.

Në takimin e djeshëm me koordinatorët e grupeve parlamentare, Xhaferi tha se është pajtuar me të gjithë, përveç me ata të Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës.

Këto dy parti theksojnë se vendimi për shtyrjen e regjistrimit është politik dhe nuk është për shkak të gjendjes aktuale shëndetësore me pandeminë.

“Ju njoftoj se edhe krahas këmbënguljes sime gjatë gjithë ditës për harmonizimin e qëndrimeve të të gjithë faktorëve politikë në drejtim të arritjes së marrëveshjes dhe mbajtjes së të dyja seancave në të cilat do të votoheshin Propozim ligji për regjistrimin e popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave në vitin 2021 dhe Propozim Vendimi për vazhdimin e afatit të vazhdimit të gjendjes së krizës, afati i të cilit theksoj se skadon sonte në ora 24.00, nuk u arrit marrëveshje. Të gjithë përfaqësuesit e grupeve parlamentare dhe përfaqësuesit e partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, shprehën gatishmëri për mbajtjen e seancave, përveç Aleancës për Shqiptarët dhe Alternativës. Për rrjedhën e mëtejshme do ju informojmë gjatë ditës së nesërme”, informoi mbrëmë Xhaferi.

Kurse kryeministri Zoran Zaev, sërish premtoi para qytetarëve se do të bëjë gjithçka që procesi i regjistrimit të jetë i suksesshëm dhe cilësor. Ai tha se e rëndësishme është të regjistrohen të gjithë qytetarët.

Ndryshe, sipas Ligjit të miratuar për regjistrimin e popullsisë, i njëjti duhet të fillojë të zbatohet sot (1 prill) dhe të përfundojë më 21 prill.